E Diel, 1 Nëntor 2026

Moska zyrtare rikthen bursat për studentët shqiptarë

MASH Ofrohen studime universitare dhe pasuniversitare për vitin akademik 2010-2011

Në bazë të marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit në fushën e arsimit, Qeveria e Federatës Ruse ka ofruar 25 bursa studimi për në universitetet publike të Rusisë. 20 bursa janë për studime universitare dhe 5 të tjera për studime pasuniversitare, për vitin akademik 2010-2011. Kandidatët e interesuar për këto bursa studimi duhet të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në

Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, brenda datës 30 prill 2010, disa dokumente.
Për studime universitare nevojitet paraqitja e: kërkesës për studime, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë; vërtetimi i notave për tri vitet e para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga drejtoria ose zyra arsimore e rrethit përkatës; raporti mjekësor për aftësi studimesh; raporti mjekësor për virusin SIDA; certifikata e lindjes ose fotokopje e kartës së identitetit; kopje e pasaportës (pasaporta duhet të jetë e vlefshme për një periudhë kohore deri në një vit e gjysmë mbas hyrjes në Rusi); 7 fotografi 4 cm x 6 cm.

Ndërsa për studime pasuniversitare duhen dorëzuar: kërkesa për studime, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë; fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë;
lista e notave; dy rekomandime nga profesorë të universitetit; lista e artikujve shkencorë të botuar (nëse ka të tillë), ose një përshkrim të shkurtër të temës së studimit të ardhshëm; certifikata e lindjes ose fotokopja e kartës së identitetit;
kopja e pasaportës (pasaporta duhet të jetë e vlefshme për një periudhë kohore deri në një vit e gjysmë mbas hyrjes në Rusi); raporti mjekësor për aftësi studimesh; raporti mjekësor për virusin SIDA; 7 fotografi 4 cm x 6 cm.

Ministria e Arsimit të Federatës Ruse njofton se për studime universitare në degën e Drejtësisë akordohet vetëm një bursë.

Për realizimin e programit të studimeve, të gjithë studentët që nuk dinë gjuhën ruse, duhet t’i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës, i cili fillon në shtator 2010. Mosha e rekomanduar për kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet universitare, ose për programet e studimit të nivelit master, është deri në 25 vjeç, ndërsa për kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet në aspiranturë, është deri në 35 vjeç. Meqenëse masa e bursës është tepër e vogël, studentët duhet t’i paguajnë vetë shpenzimet e ushqimit, të cilat shkojnë deri në 300 USD në muaj, si dhe siguracionin shëndetësor në shumën deri në 250 USD në vit. Për çdo informacion tjetër mund të kontaktohet në numrin e telefonit 04 2230197, bëjnë të ditur përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›