E Shtunë, 31 Tetor 2026

Namik Dokle, tri drama në një vëllim

Botimi “Dënimi i dytë i Homerit” vjen për lexuesit shqiptarë nga “Toena”

“Dënimi i dytë i Homerit”, kështu titullohet botimi në një libër i tri dramave të Namik Dokles nga “Toena”. Veç dramës që i ka dhënë edhe titullin vëllimit, pjesë e tij janë edhe drama “Fantazma e Danubit” dhe monodrama “Varri i të gjallëve”. Ndonëse i njohur më së shumti për veprimtarinë e tij politike, ndër vite autori është marrë edhe me letërsi artistike, e kryesisht në zhanrin e dramës. Dokle ka shkruar 11 të tilla, duke nisur që nga viti 1975 dhe pesë monodrama e radiodrama për fëmijë. Katër drama të tij janë ngjitur edhe në skenën teatrore. “Era e lartësive” (1975), “Koha në gjunjë s’na ka parë” (1981), “Fantazma e Danubit” (2004) dhe “Dënimi i dytë i Homerit” janë ngjitur në skenën e teatrit “Andon Zako çajupi” të Korçës. Monodrama “Varri i të gjallëve” është krijimi më i fundit i Dokles si shkrimtar. “Në kohën e lirë unë lexoj shumë, ëndërroj të shkruaj, por shkruaj pak, sepse letërsia, ëndrra ime e dikurshme, është shumë xheloze dhe kërkon që për njëfarë kohe t'i kushtohesh vetëm asaj”, ka thënë më parë Namik Dokle, i pyetur për marrëdhëniet e tij me letërsinë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›