E Diel, 1 Nëntor 2026

Ahmeti-Berishës: Mbeteni kryeministër i përhershëm i shqiptarëve të Maqedonisë

Ahmeti-Berishës: Mbeteni kryeministër
i përhershëm i shqiptarëve të Maqedonisë

berisha-ahmetiKryeministri Sali Berisha priti në një takim, kryetarin e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim të shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti. Gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha, vlerësoi rolin thelbësor që ka luajtur BDI në marrëveshjen e Ohrit dhe promovimin e lirive dhe të drejtave të shqiptarëve, por dhe stabilitetin në tërësi të Maqedonisë.  Nga ana e tij, kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti shprehu mirënjohjen që kryeministri Berisha ka treguar ndaj shqiptarëve të Maqedonisë për 8 vite me radhë, në krye të shtetit shqiptar. “Kam ardhur ta falënderoj për bashkëpunimin, për punën e madhe dhe të mirë që ne kemi arritur të realizojmë, kam ardhur ta falënderoj për këshillat vëllazërore që unë kam pasur gjatë zhvillimeve , gjatë proceseve, me të vërtetë edhe të vështira, edhe specifike, në Republikën e Maqedonisë”, tha Ahmeti. Ai vlerësoi gjithashtu edhe përkrahjen që ka dhënë Shqipëria që Maqedonia të zërë vendin e merituar në NATO, dhe në strukturat evropiane. “Kam ardhur ti them publikisht (Kryeministrit Berisha) se do të mbetet udhëheqës dhe kryeministër i përhershëm për shqiptarët e Maqedonisë nga ata shqiptarë që unë përfaqësoj”, tha në përfundim Ahmeti.

Meta-Ahmetit: Vëmendje dhe përkrahje
ndaj shqiptarëve në Maqedoni
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir meta zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti. Gjatë këtij takimi Meta dhe Ahmeti biseduan mbi zhvillimet pas-zgjedhore në Shqipëri dhe mbi situatën politike në Maqedoni, me fokus të drejtat e shqiptarëve të vendit fqinj.
Ali Ahmeti e uroi Metën për suksesin e arritur nga LSI gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit dhe shprehu bindjen se koalicioni i ri qeverisës do vazhdojë të kujdeset për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni. Nga ana e tij, Meta e siguroi Ahmetin se vëmendja dhe përkrahja ndaj shqiptarëve të Maqedonisë do të jetë maksimale dhe se më 23 qershor janë hedhur hapa të rëndësishëm për të avancuar më shpejt edhe në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, veçanërisht në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve dypalëshe.
Në këtë kuadër, Meta shprehu mbështetjen e plotë për proceset euro-atlantike dhe integruese të Maqedonisë dhe ndau bindjen me Ahmetin se zgjidhja sa më e shpejtë e çështjes së emrit të vendit përmes mbështetjes dhe strukturave ndërkombëtare, do të kontribuonte ndjeshëm jo vetëm në mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndëretnike në vend, por edhe në forcimin e stabilitetit dhe perspektivës evropiane të gjithë rajonit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›