E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moske, celet ekspozitame thesaret e sulltanëve

MOSKE- Një ekspozitë me thesaret e sulltanëve Otomanë u hap në Moskë mëngjesin e sotëm. Sendet e ekspozuara erdhën nga Muzei i Pallatit Topkapi në Stamboll, Turqi. Kjo është hera e parë që një koleksion thesaresh të këtyre përmasave që i përkasin perandorisë otomane, një ndër perandoritë më të mëdha të historisë botërore, ekspozohet në Moskë. Mëse njëqind objekte janë përfshirë në ekspozitën me titull ‘'Thesare të Sulltanëve Otomanë'. Kjo gjë u bë e mundur falë një projekti të përbashkët me partnerët turq. Koleksionet që ruhen në muzetë e Kremlinit, në Moskë, janë ekspozuar në muzeun e Pallatit Topkapi në Stamboll. Duke folur në një konferencë për shtyp të dhënë në prag të hapjes së kësaj ekspozite drejtoresha e muzeut të Kremlinit, Yelena Gagarina, e mirëpriti bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. "Ky nuk është vetëm një aktivitet i veçantë por edhe një vijim i rëndësishëm i dialogut mes dy vendeve, si dhe një theksim i faktit që këtë vit Stambolli është kryeqyteti i Kulturës Europiane" tha ai.
Presidenti i muzeut Pallati Topkapi, Ylber Ortajli, tha se ekspozita nxirrte në pah historinë e Rusisë dhe Turqisë. "Kjo është ekspozita e parë e këtij lloji që hapet në Kremlin. Në të shpaloset historia jonë e përbashkët."
Për shekuj me rradhë Pallati Topkapi në Stamboll ishte rezidenca kryesore e sulltanëve otomanë që jetonin në këtë qytet. Tashmë është shndërrruar në një muze të epokës perandorake. Mes sendeve të ekspozuara janë një sërë armësh luftarake e ceremoniale siç është shpata e sulltan Mehmetit të Dytë e stolisur me argjend. Mes armëve e trofeve të tjera të ekspozuara janë edhe maja shtizash dekorative, të cilat u kapën nga otomanët në Kajro pas triumfit ndaj Mamulukëve në shekullin e 16-të. Një pjesë e madhe e armëve janë të stolisura me gurë të çmuar e me ar. Mes tyre janë edhe një parzmore për kokën e kalit e punuar me bakër dhe me ngjyrë të praruar, një mburojë 'Kallkan' e punuar me thupra shelgu, hekur e mëndafsh dhe e stolisur me ar e rubinë, një helmetë e stolisur me gurë të çmuar e gdhendje të punuara me ar dhe e mbuluar me rubinë e shekullit të 16-të. Sulltanët përdorin helmeta të tilla kur hynin në qytetet e pushtuara. Muzeu i Pallatit Topkapi ruan gjithashtu dorëshkrime origjinale me germa shumëngjyrëshe në turqisht, arabisht, persisht, gjuhën çagataj e gjuhë të tjera. Në Kremlin është ekspozuar portreti i një ambasadori rus, punuar në letër me bojë shkrimi e ngjyra të praruara. Koha e realizimit të saj mendohet se është viti 1580 ndaj kjo është piktura më e vjetër e një diplomati rus. Kërkuesit rusë mendojnë se në të paraqitet ambasadori Grigory Vasilchikov, i cili u dërgua në Persi gjatë sundimit të sheikut Abaz nga cari rus Ivani i Katërt, i njohur ndryshe si I Tmerrshmi.
Drejtoresha e Muzeut të Kremlinit, Yelena Gagarina, tha se ishte e rëndësishme të njihej ndikimi i artit otoman në kulturat e tjera. "Monarkia turke është një institucion krejt ndryshe në krahasim me çdo monarki tjetër europiane. Ndaj sot është e nevojshme të flitet për artin turk duke treguar ndikimin që ka pasur ky art tek kultura të ndryshme" tha ajo.
Në kohën e perandorisë otomane, artizanë nga vende të ndryshme punonin në kompleksin e Pallatit Topkapi. Turq, grekë, gjeorgjianë, persianë, hungarezë, italianë, rusë e të tjerë prodhuan armët e stolitë, anijet prej kristali e ari, poçet prej porcelani, cohat e veshjet. Ata krijuan thesare të veçantë të stolisur me ar e rubinë si simbol të pushtetit të dinastisë otomane.
Ekspozita e hapur në Kremlin do të vijojë deri më 15 Gusht.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›