Moskë, fundoset anija, mbyten 5 persona

Pesë persona janë mbytur si pasojë e fundosjes së një anijeje në lumin e Moskës. Një zëdhënës i Ministrisë ruse të Emergjencës, tha se pesë persona janë mbytur dhe pesë të tjerë rezultojnë të zhdukur, pasi anija e tyre u fundos në lumin e Moskës.
Autoritetet thanë se në bord gjendeshin 17 persona, kur anija pësoi aksident pas mesnatës. Po ashtu policia e kësaj zone informon se 7 persona, të cilët ndodheshin në bordin e kësaj anijeje, kanë mundur të shpëtojnë nga mbytja.
Mes pasagjerëve të mbytur, ndodhej edhe një shtetas turk. Anija e cila ishte e një kompanie private, është mbytur mesnatën e sotme në 00:58 me orën lokale (22:58 me orën shqiptare). Njëri prej drejtuesve të ministrisë së Moskës ka deklaruar se incidenti mund të jetë shkaktuar si pasojë e thyerjes së rregullave të lundrimit.