Gjermania dënon dhunën në Siri

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Vestervelle, ka dënuar sot ashpër goditjen ushtarake ndaj demonstruesve në Siri dhe ka kërcënuar me sanksione të reja regjimin e presidentit Bashar al-Asad. “Unë jam i tronditur thellë nga ajo që ne jemi duke parë në Siri”, ka thënë Vestervelle në një deklaratë të lëshuar nga ministria e tij, pas njoftimeve se 95 persona janë vrarë, pasi ushtria kishte hapur zjarr mbi demonstruesit anti-qeveritarë në qytetin qendror sirian Hama.
“Qeveria federale i bën thirrje presidentit Asad që menjëherë t`i japë fund dhunës kundër demonstruesve paqësorë dhe të angazhohet për një dialog”, ka theksuar ndër të tjera ministri gjerman. Sipas tij, nëëse presidenti Asad dështon për të ndryshuar veprimet e tij, Gjermania dhe partnerët BE-së, do të vendosin sanksione të reja.
Vestervelle tha gjithashtu se Gjermania, e cila aktualisht ka kryesimin e Këshillit të Sigurimit, është duke bërë përpjekje diplomatike për të bindur anëtarët e tjerë të Këshillit për të dënuar sjelljen e regjimit të Asadit.
Franca, Britania, Gjermania dhe Portugalia kanë propozuar një rezolutë në Këshillin e Sigurimit për t`i dënuar goditjet e Asadit, por Rusia dhe Kina kanë shprehur kundërshtimin e tyre, sikur se edhe Brazili, Afrika e Jugut dhe India.