E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosrealizimet. Qeveria, borxh shtesë për KESH-in

Financat: Qeveria ka financuar gjatë vitit 2007-të me 100 milionë USD KESH-in
Këto fonde do të vijnë nga mosrealizimi i shpenzimeve operative që sipas llogarive tona do të jenë në masën 2% për këtë vit, në një kohë që kemi një realizim të të ardhurave në buxhet. Subvencioni i KESH-it për vitin 2007-të nga ana e qeverisë shkon në 100 milionë dollarë
Gjatë muajit shtator është diskutuar dhe rënë dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që sasia e energjisë së importuar nga KESH-i gjatë vitit 2007-të të shkojë në 2, 734 milionë kwh. Sipas KESH-it, kjo është edhe sasia maksimale e llogaritur nga ekspertët e Korporatës, që nevojitet për të mbajtur të pandryshuara orët e furnizimit
Qeveria do të ndihmojë KESH-in me subvencion për energjinë, duke i dhënë frymëmarrje Korporatës pas problemeve të mëdha në likuiditet që ka kjo e fundit. Kredia e dhënë nga ana e qeverisë për KESH-in në vitin 2007-të shkon në 100 milionë dollarë, bashkë me shtesën prej 50 milionë USD që qeveria pritet ta lëvrojë në fund të këtij viti. Sipas studimit të bërë nga ana e Ministrisë së Ekonomisë 2 muaj më parë KESH-i për 4 muajt e mbetur të vitit i duhej edhe një sasi prej 7.2 miliardë lekësh për të mbyllur këtë vit financiar. Por situata e përmirësuar hidrike gjatë muajit të fundit ka bërë që importi i energjisë të ulet dhe njëkohësisht të bjerë edhe shuma e shpenzuar për të blerë energji nga Korporata. Humbjet e KESH sipas ministrit të Financave, Bode, janë më të mëdha nëse në rezultatet e kësaj kompanie do të merreshin parasysh edhe humbjet nga fitimi i munguar i KESH. Kërkesa e KESH për subvencion ka ardhur që muaj më parë, por ka qenë kreu i Financave, Bode, që ka kërkuar nga ana e Korporatës që të përmirësojë treguesit për të marrë një shtesë në fonde nga buxheti i shtetit. Por mosrealizimet e shpenzimeve në buxhet kanë qenë edhe fati i Korporatës, e cila do të marrë sërish në këtë fund viti një subvencion që sipas specialistëve është i fundit për këtë vit. Në vitin 2008, referuar edhe situatës hidrike në vend, pritet që të ketë një përmirësim të situatës së Korporatës dhe një ulje të kostos mesatare të energjisë.
Buxheti, mosrealizimet shkojnë për KESH-in
Fondi shtesë i Ministrisë së Financave për KESH-in do të jetë 3-5 miliardë lekë, ndërsa burim i tij do të jenë mosrealizimet e shpenzimeve buxhetore. "Financimi për KESH-in do të jetë 3-5 miliardë lekë, dhe do të jetë në formën e kredisë njëvjeçare. Këto fonde do të vijnë nga mosrealizimi i shpenzimeve operative, që sipas llogarive tona do të jenë në masën 2% për këtë vit, në një kohë që kemi një realizim të të ardhurave në buxhet", - tha zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu. Sipas marrëveshjes së nënshkruar me Fondin Monetar Ndërkombëtar, KESH duhej që të importonte gjatë këtij viti një sasi totale energjie që shkon në 1, 800 milionë kwh. Por qeveria ka kërkuar që ta rrisë këtë sasi, pas situatës së rënduar të prurjeve në HEC-e. Gjatë muajit shtator është diskutuar dhe rënë dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që sasia e energjisë së importuar nga KESH, gjatë vitit 2007, të shkojë në 2, 734 milionë kwh. Sipas KESH, kjo është edhe sasia maksimale e llogaritur nga ekspertët e Korporatës, që nevojitet për të mbajtur të pandryshuara orët e furnizimit. Por edhe kjo sasi energjie pritet të korrigjohet sërish pas rritjes së prodhimit në vend. "Ne besojmë se në vitin 2008 gjendja financiare e KESH do të ketë një përmirësim të dukshëm", ka deklaruar Shehu.
Shpërndarja e fondeve
Mosrealizimi i investimeve dhe një pjesë të shpenzimeve të tjera të programuara gjatë këtij viti kanë bërë që qeveria në mbledhjet e fundit të realizojë një riformatim të buxhetit. Një nga pjesët me realizime më të pakta gjatë vitit 2007 ka qenë zëri i investimeve publike. Realizimi i investimeve gjatë 10 muajve të parë nuk i ka kaluar 38%, ndërsa Kryeministri Berisha ka bërë të ditur vetëm pak ditë më parë se në vitin 2008 firmat që do të marrin fonde publike duhet të punojnë me 3 turne. Sipas Berishës, mosrealizimi ka ardhur për shkak të mungesës së kapaciteteve të kompanive shqiptare, ndërsa një deklaratë e tillë është kundërshtuar nga ana e biznesit vendës. Sipas ndërtuesve ka qenë burokracia shtetërore ajo që nuk ka bërë të mundur që të realizohen investimet në vend.
+++
Energjia, kufizimet drastike do të vazhdojnë
Pritet që të ketë një përmirësim të furnizimit me energji vetëm në ditët e festave të fundvitit
Financimi i KESH nga ana e buxhetit të shtetit për të përballuar vlerën shtesë të importeve në një këndvështrim më afatgjatë dhe një përsëritje e vazhdueshme e një fenomeni të tillë do të tkurrte potencialet për realizimin e investimeve kapitale për ekonominë
Kufizimet drastike të energjisë do të vazhdojnë, ndërsa nga ana e KESH nuk është dhënë asnjë afat për përmirësimin e situatës. Reshjet e ditëve të fundit kanë përmirësuar situatën hidrike në HEC-e, por orët e kufizimeve fillojnë nga 4-5 orë për Tiranën, duke vazhduar me 17 orë në ditë për 55% të popullsisë që jeton në zonat rurale. Situata e cilësuar si e pazakontë për këtë sezon, reflektoi jo vetëm problemet e mbartura të sektorit energjitik në Shqipëri, por edhe pasojat e akumuluara nga thatësira e tejzgjatur në vend dhe në rajon. Treguesit e sektorit energjitik për periudhën janar - gusht 2007 flasin për një nivel më të ulët oferte të energjisë elektrike, se ai i së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Rënia e ofertës me 9.3 për qind erdhi si pasojë e uljes së prodhimit vendës, ndërkohë që rritja e sasisë së importuar nuk arriti të plotësojë kërkesën për energji. Konsumi i energjisë elektrike nga operatorët familjarë dhe nga bizneset ka rënë pothuajse me të njëjtën normë. Zhvillim pozitiv në bilancin e energjisë elektrike përbën rënia e humbjeve në total dhe e humbjeve ndaj burimeve. Kjo rënie ka ardhur në një masë të madhe nga rritja e arkëtimeve. Megjithë masat e marra nga agjentët ekonomikë dhe nga KESH për të përballuar problemet e shkaktuara nga ndërprerjet e energjisë elektrike, përsëri aktiviteti ekonomik mbetet 'peng' i zhvillimeve në këtë sektor.
Bizneset pezullojnë aktivitetin
Sipas Bankës së Shqipërisë situatat e rënduara energjitike në vend, kanë kufizuar aktivitetin ekonomik. Në raste ekstreme, biznese vendase dhe të huaja e kanë pezulluar aktivitetin, ndërkohë që lëkundja e besimit të investitorëve potencialë, vlerësohet si efekt me ndikim negativ dhe më afatgjatë në ekonominë e vendit. Në përgjigje të kufizimeve të thella të aktivitetit ekonomik, mbyllja dhe pakësimi i mundësive për hapjen e vendeve të reja të punës, si edhe ulja e pagave të të punësuarve, kanë shoqëruar situatat e 'pragkolapsit energjitik' në vend. Kostot shtesë, për shkak të përdorimit të burimeve alternative, kanë rënduar si mbi bizneset, ashtu edhe në nivelin e përgjithshëm të çmimeve të konsumit. Përdorimi i gjeneratorëve ka krijuar kosto shtesë të vazhdueshme. Në kushtet e rritjes së çmimit të naftës, këto kosto rëndojnë dukshëm mbi çmimet e prodhimeve e të shërbimeve. Përvoja ka treguar se nevoja për të rikuperuar aktivitetin ekonomik në periudhat e mëvonshme, ka nxitur një aktivitet ekonomik në kushte të sforcuara, duke imponuar kosto të paparashikuara për bizneset dhe jo në pak raste, edhe lëkundje të pozitave të tyre në treg.
7.2
miliardë lekë i duheshin KESH në 3 muaj
5
miliardë lekë ishte subvencioni i dhënë në fillim të vitit
3-5
miliardë lekë është borxhi i ri qe KESH do marrë nga qeveria
224
miliardë lekë vlera e tenderit të fundit të KESH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›