Bujqësia, Bode: Jo më shumë se 6% TVSH
Debate në Kuvend për rimbursimin e TVSH-së në Bujqësi, socialistët propozojnë 10%
Nga projekti për rimbursim përfitojnë vetëm 20-30% e prodhimit bujqësor vendës
Rimbursimi duhet të jetë më pak se 10 për qind. PS-ja vlerëson se qeveria është tërësisht spontane për politikat në mbështetje të sektorit të bujqësisë i cili jep rreth 27 % të PBB dhe jeton mbi 55% e popullsisë së vendit.
TIRANË- Rimbursimi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në bujqësi do të jetë 6%, ndërsa në total fondi i vënë në dispozicion nga qeveria për vitin 2008-të është rreth 50 milionë dollarë. Projekti për rimbursim të TVSH-së në bujqësi është paraqitur nga ana e ministrit Bode në parlament, duke u konsideruar si një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e këtij sektori. "Për vitin 2008-të fondi i përcaktuar në buxhet për rimbursimin e TVSH-së për fermerët është 5 miliardë lekë dhe një masë e tillë ndihmon fermerin, dhe e bën prodhimin vendës më konkurrues se ai i importit", - tha Bode. Por projekti i bërë nga qeveria u vlerësua i pamjaftueshëm nga ana e opozitës. Deputeti Arben Malaj, deklaroi se "bujqësia shqiptare është në ditët e saj më të vështira dhe kjo dëshmohet më së miri nga rritja e këtij sektori, që është 2-3 herë më e ulët se rritja ekonomike në tërësi. Ne e vlerësojmë këtë projekt të pamjaftueshëm pasi në një kohë që në vendet e Bashkimit Evropian subvencioni për bujqësinë është rreth 46% në Shqipëri parashikohet që skema të ofrojë vetëm 6%". Ndërsa deputeti Erion Braçe ka deklaruar se "nga kjo skemë do të mund të përfitojnë këtë vlerë minimale vetëm 30% e produktit bujqësor, pasi pjesa tjetër nuk del fare në treg". Por ministri i Financave ka sqaruar se niveli prej 6% i propozuar nga ana e qeverisë, për sektorin bujqësor, është ndër nivelet më të larta në vendet e rajonit. Për këtë projekt Partia Socialiste ka dhënë propozimin e saj ku sqarohet se "në kushtet kur niveli më i lartë në vende të BE-së është 9 % , në kushtet kur BE-ja përdor rreth 45 % të fondeve për politika bujqësore, në kushtet kur bujqësia shqiptare është përballë një konkurrencë më të madhe dhe në disa raste edhe abuzive, niveli i propozuar nga Grupi parlamentar i PS-së është që rimburismi duhet të jetë më pak se 10%".
Kriza në bujqësi
Rritja e çmimeve të produkteve bujqësore në treg është fat për fermerët dhe do të çojë në rritjen e prodhimit, dhe të peshës së tyre në treg. Ky ka qenë edhe përkufizimi që i ka bërë situatës së çmimeve të produkteve bujqësore në treg Bode. I kundërt ka qenë mendimi i socialistëve për këtë çështje. "Rritja e çmimeve të produkteve bujqësore në treg vjen vetëm për shkak të mungesës së prodhimit dhe mospunimit të tokës. Çmimet e naftës dhe të plehrave janë bërë të papërballueshme për fermerët, dhe qeveria nuk ka mbajtur premtimet për naftën pa akcizë, duke ia shitur naftën fermerit me një çmim që ka shkuar në 145 lekë për litër", - tha Braçe.
Box
Skema e TVSH-së
1)6% është niveli i TVSH-së për rimbursim
2)TVSH-ja duhet të merret nga fermeri në procesin e shitjes
3)Në çmimin e produktit bujqësor do të përfshihet edhe 6% i TVSH-së nëse shitja do realizohet në një person të regjistruar në tatime
4)Faturat e TVSH-së do të mblidhen nga ana e tregtarëve dhe personave të tjerë të tatueshëm