Mosshlyerja e kësteve të kredisë, bllokohet birra Norga
VLORË- Pas bllokimit dhe sekuestrimit ditën e djeshme të Fabrikës së birrës Norga me pronar Agron dhe Bukurie Haxhiraj, zyra e përmbarimit gjyqësor privat pranë shoqërisë APSA sh.p.k. ka bllokuar dhe sekuestruar dhe fabrikën e pijeve freskuese të kësaj kompanie. Sipas përmbaruesve, sekuestrimi i pronave të kësaj kompanie po bëhet me vendim të formës së prerë të gjykatës së Tiranës, sepse kjo kompani nuk ka paguar rregullisht sipas kontratës këstet e kredisë që ka marrë në Raiffaisen bank.
Shkelja
Pas thyerjes së kontratës, banka ka hedhur në gjyq firmën dhe ka fituar atë me vendim të formës së prerë, për sekuestrimin e të gjitha pasurive që ka kjo firmë, të cilat i ka lënë peng për marrjen e kredisë, të gjitha këto prona tashmë do të sekuestrohen në llogari të bankës. Fill pas sekuestrimit pronat do të dalin në shitje dhe do vlerësohen për vlerën e saj deri në arritjen e shifrës së kredisë së marrë në bankë. Po sipas përfaqësuesve të bankës dhe të përmbarimit, shuma e marrë në bankë nga kompania është më shumë se 10 milionë euro. Që ditën e djeshme mjaft aparatura elektronike të fabrikës së birrës janë stakuar dhe çmontuar.
Reagimi
Përfaqësuesja e kompanisë të fabrikës së birrës dhe pijeve me fruta, Bukurie Haxhiraj, është shprehur se “po bëhet një masakër ndaj kompanisë dhe pronave të saj nga persona që duan ta shkatërrojnë këtë kompani të suksesshme për shkak konkurrence. Ne kemi marrë kredinë për të investuar, zhvilluar biznesin dhe hapjen e 400 vendeve të punës në Vlorë, dhe si garanci kemi lënë disa prona, që kanë vlerën disa herë më të madhe se kredia e marrë në bankë. Kredinë e kemi marrë para tre vitesh, dhe kontratën për shlyerje e kemi për 9 vjet. Në mënyrë të njëanshme banka thyen kontratën dhe kërkon të marrë pronat në vend të parave, dhe pse kemi kontaktuar me ta, kemi dhënë disa mendime, por deri tani asgjë nuk është arritur, por kanë shkuar deri në sekuestrimin e pronave (fabrikave) pa asnjë vendim gjykate. Edhe pse kanë pretenduar se kanë vendim të formës së prerë të gjykatës në datën 7 tetor 2010. Me mbylljen e këtyre dy fabrikave tashmë ngelen pa punë rreth 400 punëtorë, të cilët do t’i shtohen numrit të papunëve të qytetit të Vlorës që janë të shumtë”.
Pronarja e fabrikave i kërkon kryeministrit Berisha të ndërhyjë për të ndaluar këtë masakër që po bëjnë disa struktura, sipas saj të errëta, dhe shkatërruese të biznesit. “Është e vërtetë që ka krizë ekonomike, por unë nuk jam prekur nga kriza ekonomike, unë kam paguar të gjitha taksat ndaj shtetit për çdo muaj. Mosmarrëveshjet me bankën kanë filluar që para një viti, e cila nuk kërkon paratë, por do pronat, sepse me sa duket ato i duhen më shumë. Ne i kemi ofruar disa rrugë zgjidhje, por banka nuk ka pranuar dhe ka kaluar çështjen në gjykatë, dhe pse ne dhe sot s’kemi ndonjë vendim gjykate, si dhe nuk jemi thirrur ndonjëherë në gjykatë, prandaj përmbaruesit me ndihmën e policisë së shtetit po veprojnë në mënyrë të kundërligjshme me sekuestrimin e fabrikave. Ne do ta kalojmë çështjen në gjykatë ndaj këtij veprimi të pa ligjshëm, por gjithçka brenda fabrikës po shkatërrohet dhe vidhet prej atyre që e sekuestruan dhe s’dihet se ku po i çojnë”, ka përfunduar ajo.