Plazhi i Shkëmbit të Kavajës më i ndoturi në Adriatik
DURRËS- Ka rezultuar një flluskë sapuni aksioni i ARM-së për bllokimin e derdhjes së ujërave të zeza në det. Ndonëse paralajmërimet nga ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, ishin të ashpra dhe paralajmëronin gjoba deri në 100 mijë euro për subjektet që derdhin ujërat e zeza në det, Agjencia Rajonale e Mjedisit në Durrës vetëm sa është mjaftuar me gjendjen e plazhit në Shkëmbin e Kavajës, duke mos kryer asnjë veprim. Ka qenë kreu i ARM-së, Ramazan Kalia, bashkë me prefektin Genci Alizoti dhe kryetarin e komunës Rrashbull, Hysen Gashi, që “takimin me komunitetin e zonës” e kanë kryer duke qëndruar për mëse një orë në kafe në një nga restorantet e kësaj zone. Më pas, duke larguar median, me pretekstin se “juve nuk ju ka njoftuar askush nga ne”, ka nisur aksioni i famshëm. Asgjë nuk është bërë në terren, megjithëse tubat plastikë që nisin nga hotelet me dalje në det duken sheshit, madje janë pushuesit që i tregojnë me gisht, duke kërkuar marrjen e masave. Në këtë vijë bregdetare që menaxhohet nga komuna Rrashbull, nga Plepat deri te Përroi i Agait, janë dy pika mjaft të rrezikshme që derdhin ujërat e zeza në det. E para gjendet pranë një moli prej druri, i kthyer në lokal në buzë të detit, ndërsa pika e dytë është kanali i ujërave të zeza në zonën ku plazhi ndahet nga kompleksi i rezidencës së pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes. Të dyja këto pika e kanë komprometuar shumë rëndë sezonin turistik, por kësaj pamjeje i shtohen edhe ndërtimet e shumta që janë duke u kryer në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, shumë afër bregut të detit. Pushuesit shprehen se duhet të merren masa, por askush nga strukturat përgjegjëse nuk e ka bërë detyrën që i takon në bazë të ligjit. Zona e rërës është zënë që tani me shezlonge pafund, duke mos lënë asnjë pëllëmbë vend për pushuesit, që nuk munden të paguajnë tarifat për shezlonge dhe çadra. E njëjta situatë paraqitet edhe në plazhin e Durrësit. Shumë pronarë hotelesh dhe restorantesh, të pangopur me hapësirën që kanë përpara ndërtesave të tyre, kanë nisur krijimin e hapësirave të reja në det, duke krijuar mole prej betoni dhe më pas duke i mbushur ato me rërë. Një praktikë e tillë po zbatohet kudo, që nga sektori “Iliria” deri te Brryli në lagjen nr.1 dhe në vazhdim në Currila. Zgjidhja e këtyre problemeve nuk dihet sesi do të shkojë, ndërsa zyrtarët deri tani kanë bërë vetëm deklarime dhe paralajmërime.