Mosvotimi i tre ligjeve Rama bllokoi statusin

Partia Demokratike ka akuzuar sërish sot lidershipin socialist si përgjegjës për refuzimin për të tretën herë të statusit të vendit kandidat. Përmes deputetit demokrat Gerti Bogdani, mazhoranca e cilësoi si të pafalshme vendosjen e interesave personale të kreut Rama, përpara atyre kombëtare.
“Për herë të tretë radhazi, edhe në këtë 100 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, interesat e ngushta personale të aventurierit politik në krye të Partisë Socialiste, bllokojnë marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë dhe vonojnë shqiptarët në procesin e integrimit europian të tyre. Mos votimi i tre ligjeve në parlament nga ana e opozitës, e bllokoi edhe një herë Shqipërinë në avancimin e saj drejt Bashkimit Europian. Por është e pafalshme, për cilindo politikan, që mbi interesat kombëtare të vendose interesat politike dhe personale. Është e pafalshme, e përsëris, që një aventurier politik, të mbajë peng dhe të bllokojë një vend të tërë”, u shpreh Bogdani.
Sipas tij, mesazhi i Brukselit ishte i qartë kur deklaroi se arsyeja e vetme e mos marrjes së statusit të vendit kandidat është mos-votimi i tre ligjeve në parlament nga opozita.
“Pra, është bllokimi që z. Rama i bën përsëri Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por, ne besojmë, se qytetarët shqiptarë, ashtu sikurse rrëzuan murin e izolimit të ngritur nga bllokmenët e vjetër 22 vite me parë, ashtu do të rrëzojnë, më 23 Qershor, murin e bllokimit të ngritur nga këta bllokmenë të rinj”, vuri në dukje deputeti demokrat.