E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklaratat nacionaliste dhe anetaresimi i Shqiperise ne BE

Replika të forta midis eurodeputetëve nisur nga deklaratat e bërë nga kryeministri Berisha me rastin e 100 vjetorit, të cilat parlamentarët grekë i konsiderojnë nacionaliste dhe trazuese. 
"Kur zoti Berisha shkoi në Vlorë për të festuar 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar siç ishte krijuar në atë kohë, ai përmendi pesë vende ku jetojnë minoritete shqiptare. Më pas ai u përpoq ta ndryshojë atë deklaratë dhe përpjekjet i përkeqësuan gjërat. Ne kemi shqiptarë në Greqi , po ata janë emigrantë ekonomikë që punojnë dhe dërgojnë para në shtëpitë e tyre",  u shpreh Marietta Giannakou, eurodeputete.
Nga ana e tij, eurodeputeti, Nikolaos Chountis deklaroi se “Parlamenti Europian dhe institucionet europiane duhet të mbajnë qëndrim kundër deklaratave të tilla nacionaliste dhe irredentise, në mënyrë që të promovojnë mardhëniet e mira mes Shqipërisë dhe vendeve fqinje".
Por ka edhe eurodeputetë gjermanë, që venë pikat mbi i për historinë e Shqipërisë, kaq pak të njohur dhe pranuar në Europë.
“Shqiptarët janë një nga popujt më të vjetër në Ballkan. Në kongresin e Berlinit në 1888, shqiptaratë janë injoruar dhe mohuar. Ka qenë i vetmi popull i Ballkanit që nuk ka marrë asnjë të drejtë. Dhe kur u përcaktuan kufinjtë, kjo u bë në interesin e fuqive të mëdha dhz pati dhe një masakër në Kosovë. Kjo është e përshkruar shumë mirë në libër, që është vërtet impresionues për tu lexuar. Ka patur vërtet një gjenocid nga forcat serbe në hetimin që është kryer nga fondacioni Konigi. Dua të veçoj diçka . Për 100 vjetorin janë bërë shumë fjalime. Ndoshta ato nuk ishin shumë të matura, por ne i themi miqve shqiptarë që kufinjtë janë të pandryshueshëm. Ne nuk duam ndryshim kufinjsh, ne duam që të mos ketë kufi midis nesh. Ne duam të kontribuojmë për këtë. Nëse ne vazhdojmë t’ju refuzojmë shqiptarëve të Kosovës vizat, atëherë s’kemi pse të habitemi nga pasojat negative. Le ti kritikojmë shqiptarët, por kur sheh Kushtetutën e Serbisë, aty ka pretendime për territore  të Kosovës. Ndaj, ne duhet të kemi një perspektivë europiane për Shqipërinë, vlerësoi eurodeputeti Bernd Posselt.
Dhe ja se si është përgjigjur eurodeputeti Posselt qëndrimit të një eurodeputeti  tjetër grek, që ka deklaruar se Shqipëria nuk duhet të anëtarësohet në BE.
 “Si përfaqësues i komunistvë grekë, ne jemi kundër anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Punëtorët shfrytëzohen në Bashkimin Europian. Ne duhet ta braktisim Bashkimin Europian dhe jo ti shërbejmë monopolit. Ne duhet të bashkëpunojmë mbi bazën e interesave të përbashkëta”, tha Georgios Toussas, eurodeputet
Ndërsa eurodeputeti Posselt nënvizoi se “unë jam krejtësisht në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Do të doja ta pyesja zotin Toussas. Zotëri, a duhet të pyesim  vetë shqiptarët nëse duan apo jo të anëtarësohen në BE, apo duhet t’ia lemë vendimin për Shqipërinë disa komunistëve grekë”.
Eurodeputeti grek Toussas ështê kundërpêrgjigjur, se ai dhe grupi i tij kanë qenë dhe mbeten kundër qëndrimit tê Greqisë në BE.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›