Panariti në Stamboll: Bashkëpunimi rajonal, sfidë e qeverisë shqiptare
Turqi- Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, ka marrë pjesë sot në takimin e 27-të Komitetit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, i cili u mbajt në Stamboll.
Në fjalën e tij, Panariti theksoi se Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi përbën një organizëm të rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit, duke forcuar dialogun politik dhe krijuar mundësi të gjera për bashkëpunimin ekonomik. Ai theksoi nevojën e forcimit të përpjekjeve të vendeve anëtare të organizatës për thellimin e partneritetit ekonomik, sidomos në zhvillimin e infrastruktures së rajonit, realizimin e projekteve në shumë fusha, sidomos në atë energjitike dhe ndërtimin e korridoreve rrugore dhe hekurudhore që lehtësojnë komunikimin mes vendeve. Ai shtroi, gjithashtu, nevojën që organizata të zgjerojë partneritetin me aktorë të rëndësishëm ndërkombëtare dhe rajonalë si BE, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, etj.
Në përfundim kreu i MPJ-së theksoi se integrimi europian dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal përbën një ndër sfidat më të rëndësishme të politikës së jashtme të qeverisë shqiptare dhe, në këtë kuadër, ajo do të shtojë angazhimin në të ardhmen në gjirin e kësaj organizate dhe të nismave të tjera rajonale.
/IDEA/
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: