Moszbatimi i marrëveshjeve, Cooper: Duroni edhe pak

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, i ka kthyer përgjigje dy letrave të Prishtinës, në të cilat autoritetet kosovare shprehin pakënaqësi rreth moszbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
Cooper ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të kenë mirëkuptim ndaj moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Beogradit derisa të bëhet një vlerësim për përformancën e palës serbe në procesin e deritashëm.
Autoritetet kosovare i kanë dërguar javën e kaluar dy letra negociatorit të BE-së në të shprehet pakënaqësi që Serbia nuk po zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel, kanë thënë burime të gazetës Express.
Këshilltari i Baroneshës Ashton është përgjigjur me anë të një letre në të cilën ka uruar Kosovën për zbatimin marrëveshjes në mënyrë korrekte për vulat. Po ashtu ai ka shprehur shqetësimin që pala tjetër, Serbia, ende nuk ka nisur me zbatim.
“Cooper ka kërkuar që Kosova të ketë edhe pak ditë mirëkuptuese derisa BE ta vlerësojnë performancën e Serbisë për këtë çështje”, ka thënë burimi i gazetës.
Injorimi i Serbisë për të përmbushur detyrimet për të cilat është zotuar në dialog mund të diskutohet në raundin e radhës të bisedimeve që pritet të mbahet më 27 dhe 28 shtator.
Përderisa delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është e gatshme për vazhdim të dialogut, negociatori serb Borislav Setefanoviç ende nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen.