Themelimi i PD-së, dita e pluralizmit politik dhe e rilindjes kombëtare
Partia Demokratike feston 18-vjetorin e themelimit, si partia e parë politike në Shqipërinë që shembi perden e hekurt komuniste. Krenari e ligjshme dhe madhështi në Pallatin e Kongreseve. Mungojnë urimet nga selia socialiste, mbi të cilën dje dukej sikur kishte rënë zija TIRANE - Partia Demokratike festoi dje 18 vjetorin e themelimit të saj, si forcë e parë politike në Shqipëri që shembi perden e hekurt të regjimit komunist, të regjimit më të egër në botë. Ditëlindja e 18-të e Partisë Demokratike që zhvillohet vetëm pak muaj përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ka patur si kryefjalë të sajën moton “Shqipëria po ndryshon”, moto që pritet të ketë edhe fushata elektorale e demokratëve në 2009-ën. Nga pallati i Kongreseve, duke marrë fjalën përpara mijëra simpatizantëve dhe themeluesve, iniciatorëve të Lëvizjes studentore, që solli rrokadën e madhe, kreu i mazhoranës Sali Berisha, bëri një ekspoze, të detajuar të gjithë përpjekjeve të demokratëve në 18 vjet për të arritur në ditën e sotme, ditën e anëtarësimit në NATO dhe shanseve të mëdha për integrimin evropian, që për të bërë realitet, kërkojnë votat e shqiptarëve për një mandat të dytë. Përmes një filmi dokumentar, në sallën e Pallatit të Kongreseve u prezantuan fillimisht të gjitha zhvillimet që kanë shoqëruar PD-në përgjatë këtyre 18 viteve. Duke e konsideruar themelimin e PD-së, të partisë së parë të vërtetë opozitare në Shqipëri, si ditën e krijimit të pluralizmit politik në Shqipëri, kryeministri Berisha u shpreh se “kjo ditë shënon ditëlindjen e lirive dhe dinjitetit tonë njerëzor dhe një nga ditët më të rëndësishme për kombin dhe vendin tonë”. Duke u ndalur në vitet e zymta të regjimit diktatorial në Shqipëri, kryeministri Berisha vuri në dukje se “vendi ishte zhytur në izolimin më të thellë në historinë e tij me një regjim që do ta shkëpuste atë nga trungu i tij perëndimor dhe do të nxiste luftën e klasave mes shqiptarëve”. Sipas kryeministrit në kohën kur të tjerët ia dolën të organizojnë disidencat e tyre, kishin krijuar samizdakët e tyre të informimit, diktatori Ramiz Alia organizonte gjyqet politike për ekzekutime dhe vrasje publike të njerëzve të pafajshëm, financonte organizatat terroriste marksiste-leniniste në Afrikë, Amerikën Latine dhe vende të tjera. Sipas kryeministrit, ata që themeluan PD, luftuan me diktaturën më të egër në Europë dhe e gjunjëzuan atë. “Ata fituan sepse kishin marrë vendimin më të rëndësishëm për mbrojtjen e lirisë”, shtoi Berisha. Në këtë kuadër, kryeministri Berisha shtoi se lëvizja demokratike e dhjetorit do të shndërrohej në uraganin më të fuqishëm të lirisë dhe do të shënonte në 22 mars ‘92 fitoren më të thellë dhe historike ndaj diktaturës staliniste, duke i hapur rrugën ndërtimit të Shqipërisë së shekullit dhe mijëvjeçarit të ri. Berisha shprehu midis të tjerave edhe nderimet e tij më të thella për themeluesit e PD. “Nderim të thellë për liderin legjendar të studentëve të dhjetorit, Azem Hajdarin, i cili u shndërrua në lëmshin e zjarrtë të vrasjes së frikës në çdo zemër dhe vatër shqiptare. Nderim dhe mirënjohje të thellë për të gjtihë ata që flijuan jetën e tyre për fitoren e demokracisë shqiptare. Nderim të thellë dhe mirënjohje për të gjithë ata të rinj shqiptarë: nga Artan Lenja tek Arben Broci, të gjithë martirët e Shkurtit dhe të 2 Prillit që flijuan jetën e tyre për fitoren e demokracisë! Me nderim kujtojmë sot të gjithë së bashku nënkryetarin e Partisë Demokratike, mikun tim, Gramoz Pashko, për kontributin e madh që dha në lëvizjen demokratike të Shqipërisë”. Fitorja e PD-së në 22 mars 1992 ishte fitore e lirisë, shtetit ligjor, paqes dhe dinjitetit njerëzor dhe diviza e PD-së ishte paqja sociale. Fitorja e PD-së e shpëtoi Shqipërinë nga një skenar i rrezikshëm i Ramiz Alisë dhe Sllobodan Milosheviçit, që synonin të zëvëndësonin me shpejtësi pluralizmin politik me pluralizmin burokratik. “Ramiz Alia dhe Sllobodan Milosheviçi shkrinë, bashkërenduan shërbimet dhe përpjekjet e tyre, ndihmuan njëri-tjetrin me të gjitha mënyrat që Shqipëria dhe Serbia të zëvendësonin me shpejtësi pluralizmin politik me pluralizmin burokratik. Të dy ata shpallën subjekte politike elektorale levat e partive si motra, por që në fakt ishin si nënë e bijë, pra, organizatat e rinisë, gruas, frontit, sindikatave”, u shpreh në vijim Berisha.
...