E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti, drejt normalizimit në akset kryesore rrugore

Situata në rrethin e Kukësit, pas vështirësive të krijuara një ditë parë si pasojë e reshjeve dhe erës së fortë është drejt normalizimit të plotë gjatë ditës së sotme. "Aktualisht janë të kalueshme të gjitha akset kryesore rrugore, ndërsa edhe gjatë ditës së sotme në disa segmente të aksit Kukës-Qafë Mali po vazhdohet të hidhet kripë për shkak të shtresës së akullit të krijuar gjatë orëve të natës". Për mbajtjen nën kontroll të akseve rrugore Morin-Kukës- Qafë Mali, Kukës - Shishtavec, Kukës - Krumë dhe Kukës- Daj Rec, gjatë ditës së djeshme janë angazhuar 5 mjete borëpastruese, ndërsa edhe sot vazhdon punën një prej tyre në drejtimin Kukës - Daj Rec, ku edhe trashësia e akullit është më e madhe. "Kemi edhe mjete të tjera në dispozicion për të përballuar situatat, që mund të krijohen gjatë dimrit, por gjatë ditës së djeshme aq ishte e nevojshme të nxirreshin në punë për të mbajtur nën kontroll situatën e për të mos lejuar bllokimin e akseve kryesore rrugore", theksoi Gashi. Ndërkohë, është normalizuar edhe furnizimi me energji elektrike që ishte ndërprerë për disa orë gjatë ditës së djeshme si pasojë e erërave të forta. "Aktualisht të gjitha zonat e rrethit furnizohen me energji elektrike, ndërsa ndërprerjet janë për shkak të kufizimeve që kryhen si zakonisht", pohpojnë burime zyrtare të agjencisë rajonale të KESH-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›