E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari i shpreh ndjenjat Mozës: Ti më pëlqen

Marrëdhënia mes Adelajdës dhe Bjordit ka qenë në qendër të diskutimeve të banorëve. Arjani ka debatuar me Adelën, duke i vënë në dukje që nuk e kuptonte qëndrimin e saj dhe duke theksuar se ajo ndoshta e bënte për lojë. Eltoni dhe Aida po ashtu kanë komentuar rreth banorëve. Ndërkohë, Arjani është shprehur hapur me Mimozën.

"U bë ‘Big Brother‘ çifti këtu"

Aida dhe Eltoni kanë diskutuar për pëlqimet brenda shtëpisë. Ai thotë për Junën: "Juna vdiq pas Adit"! Sipas Aidës, brenda shtëpisë afeksionohesh shumë shpejt me njerëzit dhe gjërat të duken ndryshe. Ajo shton: "Të duket ai, dhe nuk ka tjetër". Eltoni thotë se i vjen për të qeshur me situatat që janë krijuar në shtëpi: "Ari vdiq pas Mimozës, Juna pas Adit. U bë ‘Big Brother‘ çifti këtu". Aida shprehet se nuk e shqetësojnë këto gjëra. Sipas Eltonit, kjo gjë mund ta shqetësojë Qetsorin. Aida i thotë: "Sori ka frikën e lojës".

Toni: Të paraqitesh siç je

Aida, Ari dhe Eltoni diskutojnë për sjelljen e Mimozës, faktin që ajo thotë se nuk ka puthur asnjëherë. Eltoni thotë që ajo nuk është aq naive sa duket, dhe shton se banorët nuk i kanë thënë të vërtetën njëri-tjetrit. Ari shprehet: "Si ka mundësi që gjithë kjo vajzë e bukur të jetë manipulatore"?! Eltoni mendon se njerëzit e shfrytëzojnë pamjen për të bërë një gjë të tillë. Aida mundohet ta justifikojë, duke thënë se ndoshta Mimoza mund ta ketë problemin nga familja, që nuk shprehet hapur. Eltoni e pyet Aidën nëse ajo vërtet mendonte që banorët kanë qenë realistë brenda shtëpisë. Ajo i thotë: "Koha do e tregojë se sa realistë kanë qenë". Sipas saj, brenda shtëpisë ka dhe persona që kanë qenë realë dhe kanë thënë të vërtetën. Eltoni thotë: "Unë mendoj që është më mirë të paraqitesh siç je". Mendimi i tij bazohet në faktin që publiku që i ndjek, arrin ta kuptojë se sa realë janë.

Futboll në "Big Brother"

Banorët kanë qenë shumë pasivë për sa i përket mënyrës së argëtimit brenda shtëpisë, dhe për këtë Adi ka bërë një top me mjete rrethanore. Ai ka marrë kapelën e Qetsorit dhe i ka futur brenda një peshqir, duke e qepur më pas. Gjatë procesit të bërjes së topit, ai ka diskutuar: "Nuk kemi ardhur për të fjetur gjumë". Qetsori kujton kohën kur ka qenë i vogël dhe për topat që ishin në atë kohë. Banorët kanë organizuar një ndeshje futbolli duke u ndarë në dy skuadra. Fillimisht banorët që luajtën ishin Ari, Qetsori, Adi dhe Juna, më vonë me ta u bashkuan dhe banorët e tjerë.

"S‘më pëlqen që s‘e pranon të vëllanë!"

Qetsori i ka treguar Junës "historinë" Aida-Adela, javë pas jave. Ai ka thënë se të dyja vajzat kanë probleme jashtë shtëpisë dhe ka cilësuar se problemet më të mëdha i kishte Aida, për shkak të situatës familjare. "Por nuk më pëlqen fakti që nuk e pranon të vëllanë", i ka thënë Qetsori Junës. Sipas Junës, këto janë probleme që gjithsecili i di vetë. Ata nuk e dinin si ishte situata e mbase po ta dinin do t‘i jepnin të drejtë asaj, por Qetsori ka thënë se atij i pëlqente loja me një kundërshtar të denjë e jo me një të pashpirt.

"Komplekset po na marrin frymën"

Adelajda, Arjani, Adi, Mimoza, Qetsori, Anjeza dhe Bjordi kanë qenë duke biseduar në dhomën e gjumit. Diskutimi është zhvilluar rreth ish-banorëve të shtëpisë e kryesisht rreth Mesidës e Liritës, për sa u përkiste pozicionimeve ose jopozicionimeve të tyre në lojë dhe opinioneve të banorëve lidhur me këtë. Më pas, ata e kanë krahasuar veten me konkurrentët e "Big Brother 1". "Këtu është plot me komplekse që po na marrin frymën", ka thënë Arjani. "S‘kam ç‘të bëj. Unë kështu jam dhe pikë", ka thënë Adelajda. Adi i ka thënë se ajo duhet ta mbronte kompleksitetin e vet. Adelajda e ka pyetur Arjanin se ku i shihte ai komplekset e saj dhe ai i është përgjigjur se nisnin që te refuzimi i saj për të dalë me rroba banje. Adelajda i ka thënë se me këto komplekse ajo nuk i bënte dëm askujt, përveç vetes. Arjani ka shtuar se nuk i pëlqente aspak. Madje, sipas tij, ishte acarues edhe pozicioni i saj "tërhiq e mos e këput" dhe për këtë bënte fajtor Bjordin. Adela ka shpjeguar se ndjehej mirë me Bjordin, ashtu siç ishin dhe s‘kishte nevojë as të puthej e as të flinte në një krevat. "Pse duhet ta puth unë se doni ju?", ka thënë Adela dhe ka shtuar se edhe Bjordi ndihej me të po aq mirë. "Mua ky më ka thënë tjetër gjë", ia ka kthyer Arjani Adelajdes, që në fillim ka heshtur, pastaj ka thënë se Bjordi mund të mendonte ç‘të donte. "Mos rreziko me gjëra të pavërteta", i ka thënë Adi Arjanit. Ky i fundit ka thënë se nuk ishin aspak të pavërteta dhe ka shtuar se një marrëdhënie si të tyren, nuk e kishte parë asnjëherë. Adela e ka kundërshtuar duke i thënë se nuk duhet të kishte detyrimisht një shembull tjetër që marrëdhënia e tyre të quhej normale. "Kur të dalim që këtu, do ta kuptosh se e ke ti gabim", i ka thënë Arjani. "Unë mund ta kem gabim, por unë kështu e ndjej, ka thënë Adelajda. Për mua puthja është shumë intime". Arjani i ka thënë se më intime ishin prekjet që ata i bënin njëri-tjetrit, apo mënyra sesi rrinin bashkë, sesa një puthje. "Ti sheh atë që do të shohësh", i është përgjigjur Adela. "Unë shoh atë që duket", i ka thënë Arjani. "Ose ju po luani, dhe po luani fuqishëm", ka shtuar ai më pas.

"Nejse, faleminderit që ma the", i ka thënë Adela, duke shtuar se e vlerësonte vërtet shumë faktin që ai ia tha mendimin e tij hapur. Debati, që për një moment u duk sikur u shua, rifilloi përsëri me përfshirjen në të edhe të banorëve të tjerë. Aida tha se edhe ajo e kishte ndjerë ekzistencën e këtyre komplekseve, madje në atë shkallë sa e kishin kompleksuar edhe atë vetë. Duke ndërhyrë, Adi tha se ishte ai që e kishte bërë gabim pyetjen fillestare, që nxiti gjithë debatin dhe donte ta rregullonte, prandaj e formuloi ndryshe: "Kush është më i ndjekur, ‘Big Brother 1‘ apo ‘Big Brother 2‘"? Arjani i tha se këto ishin statistika që ai nuk i njihte, por, sipas tij, çështja ishte nëse këto realitete që ata përfaqësonin e progresonin apo e regresonin shoqërinë shqiptare. "Nëse Adela do të jetë pjesë e këtij revolucioni, le të puthet, por nëse nuk do, nuk do", ka thënë Adi. "Pse, të puthësh një njeri që do është revolucion?!", i është përgjigjur po me një pyetje Arjani. Sipas Adit, në realitetin e Adelës, ishte. Adelajda i ka thënë Arjanit se nëse ai do ta njihte historinë e saj, nuk do të fliste kështu dhe ai i është përgjigjur se, mesa dinte ai, historia mes Adelës dhe të fejuarit të saj ishte mbyllur dhe atë, po të ishte në vend të ish-të fejuarit të saj, do ta vriste më tepër ky afeksion dymujor, sesa një puthje. Aida ka ndërhyrë duke thënë se ndoshta Adela nuk i kishte mbyllur përfundimisht gjërat jashtë, por Adelajda i ka thënë se nuk ishte kështu. "Mos ndoshta në lidhjen jashtë i ka munguar ky lloj afeksioni?", ka thënë Qetsori. Edhe për Arjanin ishte pak a shumë kështu, që në lidhjen që Adela kishte pasur me ish-in e saj, i kishte munguar pikërisht afeksioni apo të ndjerit femër. "Më mirë e lëmë këtë debat tani, sepse po e personalizojmë shumë dhe e rimarrim në një moment tjetër", ka përfunduar Arjani. Më pas, në mungesë të saj, ai u ka thënë banorëve të tjerë se ai ishte pro saj dhe prandaj i fliste, sepse i vinte keq.

"Ti më tërheq"

Duke biseduar me Mimozën, Arjani i ka thënë asaj se ajo e tërhiqte shumë për nga mosha, paraqitja, tipi, por kishte edhe gjëra që ai nuk ia pëlqente, madje që i linin shije të keqe. Sipas tij, koha ishte e vetmja që tregonte realisht sesa vlente dikush për dikë dhe ata do të vazhdonin ende të qëndronin brenda e të kuptonin më shumë, por ajo që ai dinte deri tani, ishte fakti se ajo qe shumë interesante dhe atij i pëlqente. "Nga shikimi yt e kuptoj që as unë nuk të lë indiferent", i ka thënë ai Mimozës dhe ka shtuar se ai e dinte këtë, pavarësisht se çfarë do të thoshte ajo. Arjani ka thënë se ai nuk ishte tip që luante dhe sidomos me ndjenjat. "Nuk ka as moshë për të luajtur", i ka thënë Mimoza. "Në këtë shtëpi, ti je i vetmi person që më tërheq dhe më pëlqen ideja", ka thënë më pas ai. Arjani ka shtuar se e dinte që çdo femre i pëlqente të ndihej në qendër të vëmendjes, por i është lutur Mimozës që nëse ajo nuk do të ndjente asgjë karshi tij, të mos i jepte sinjale që nënkuptonin të kundërtën.

"Ari iu afrua shumë Mozës"

Arjoni dhe Sori, pasi janë zgjuar, shkojnë për të pirë kafen në kopsht. Një prej bisedave të tyre është ajo në lidhje me Arin dhe Mozën. Sori thotë se ka krijuar një përshtypje se Ari ka për t‘ia dalë mbanë ta bëjë Mozën për vete, duke treguar se natën e mbrëmshme ai i ishte afruar shumë asaj. Arjoni e pyet për sigurinë e asaj që ai i thotë dhe më pas i propozon Sorit një bast ku ai mendon se Ari nuk ka për ta kapur Mozën, të kundërtën e asaj që mendon Sori. Arjoni shprehet me siguri të plotë se përderisa ai nuk arriti të krijonte një raport me të, as Ari nuk ka për të arritur gjë. Sipas tij, Moza është një lojtare dhe po luan lojën e saj, sepse ka filluar të ndjejë rrezikun dhe tani për tani i intereson që ta luajë këtë rol. Edhe Sori e pranon se Moza di të luajë, por ai mendon se edhe Ari është shumë i shkathët dhe mund të ndodhë ndonjë gjë. Arjoni shprehet se te vajzat si Moza, që nuk kanë pasur ndonjë lidhje më parë me djem, është edhe më e vështirë që të ndodhë diçka.

Puthje dhe përqafime

Bjordi shkon tek Adela, e cila qëndron shtrirë në krevatin e saj, me rrobëdesham veshur, duke bërë tualetin e mëngjesit. Ajo i uron një ditë të mbarë dhe e puth në faqe. Ata bisedojnë për gjëra të përgjithshme dhe gjatë gjithë kohës puthen e përqafohen. Bjordi dhe Adela qëndrojnë në intimitet për minuta të tëra, duke shkëmbyer puthje e përqafime të shumta. Adela shprehet se nëse Arjoni dhe Anjeza do të bënin si ata në ato momente, askush nuk do t‘i kishte thënë asgjë, ndërkohë ata (Bjordin dhe Adelën) nuk i lënë rehat me komente. Ata vazhdojnë t‘i dhurojnë puthje e përqafime njëri-tjetrit dhe të dy duken të lumtur.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›