E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq, MB: Sfida vazhdon, edhe 14 komuna të bllokuara

Duket se anomalisë për shkak të motit të keq po i vjen fundi. Ky fakt është konfirmuar mbrëmjen e sotme nga Ministria e Brendshme, e cila në daljen e radhës për shtyp evidenton një tkurrje të zonave të izoluara në hartë. Kështu zëdhënësi i MB-së, Fatmir Konja konfirmon se aktualisht mbeten të bllokuara vetëm 14 komuna, ndërsa vazhdon puna edhe për zhbllokimin e tyre.

Sipas tij në Qarkun e Shkodrës sot është punuar dhe vazhdon puna për hapjen e akseve rrugore që lidhin me akset kombëtare qendrat e komunave Shalë, Shosh, Shllak, Pult, Iballë dhe Fierzë.

Në Qarkun e Kukësit është punuar dhe vazhdon puna për lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Shishtavec, Grykë Çajë, Kalis, Lekbibaj dhe Arrën.

Lura, Selishta dhe Zall Reçi, janë tre komunat e Qarkut të Dibrës, ku gjithashtu vijon puna për lidhjen e qendrave të tyre me akset kombëtare.

Puna e kryer gjatë gjithë këtyre ditëve mundësoi ndërkohë lidhjen me akset kombëtare të qendrave të komunave Qelëz, Kelmend, Poroçan, Lenie, Kukur, Zavalinë, Blerim dhe Bytyç.

Theksohet se në bilancin e sotëm rezultojnë 8 komuna më pak të bllokuara se ditën e djeshme.

Për sa i takon emergjencave shëndetësore në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave për ditën e sotme janë raportuar 5 misione me helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kështu janë transportuar për shkak të emergjencave shëndetësore në spitalin e Bajram Currit një burrë dhe një grua nga fshati Papaj, si dhe një person tjetër nga fshati Degë i Tropojës. Janë kryer dy misione të tjera fluturimi për transport medikamentesh mjekësore në Lurë dhe Selishtë.

Ndërsa njësia e helikopterëve të Forcave të Armatosura ka kryer 3 misione fluturimi për transport ndihmash humanitare në komunën Kala e Dodës të Dibrës dhe në komunën Trebinjë të Pogradecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›