Moti i keq, aeroporti Heathrow ende pjesërisht i bllokuar

Vazhdon situata tepër e rënduar në aeroportin Heathrow. Asnjë avion nuk është nisur sot nga dy terminalet kryesore, ndërkohë që një numër i kufizuar avionësh do të mund të nisen nga dy terminale të tjera.
Lajmin e bëri të ditur sot rrjeti informativ “SkyNews”. “Në terminalet e sipërpërmendura nuk pranohen ulje avionësh për shkak të situatës së rënduar nga dëbora”, njofton në faqen e internetit British Airways.
Ndërkohë, mijëra pasagjerë vazhdojnë të mbeten të bllokuar në aeroportet britanike dhe shumë prej tyre kanë kaluar edhe natën në terminale.
Gjatë fundjavës, momenti me fluks më të dendur të qarkullimit ajror gjatë vitit, parashikohej të udhëtonin mbi 600 mijë pasagjerë në transit nga Heathrow dhe mbi 240 mijë nga Gatwick.