E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq, anomali të shumta në qytetin e Vlorës

Moti i keq në orët e para të mëngjesit dhe gati deri në mesditën e djeshme ka sjellë anomali të shumta në qytetin e Vlorës. Bllokimi i punës në port për disa orë, ka sjellë dëme të shumta në qytet dhe si për pasojë janë bllokuar edhe disa rrugë. Shefi i kapitanerisë së

portit Anastas Goga pohon për gazetën tonë se menjëherë pas përkeqësimit të motit janë larguar menjëherë nga kalatat të gjitha anijet e transportit dhe nuk janë lejuar anijet e peshkimit të dalin në det. Trageti i linjës me Brindisin nuk është lejuar gjithashtu të ankorohet në kalatë por ka marrë urdhër për të dalë në sheshpushim dhe atje ka qëndruar deri në orët e para të mbasdites. Menjëherë pas qetësimit të situatës në det ka vijuar zbarkimi i pasagjerëve. Ndërkohë që dy anije italiane, njëra transporti dhe tjetra peshkimi kanë kërkuar ndihmë në këtë kapitaneri. Menjëherë pas asistencës nga specialistët anijet kanë kaluar në sheshpushim, në pritje të qetësimit të detit dhe nisjes për në vendin e tyre. Deti në gjirin e Vlorës ka qenë 4 deri në 5 ballë, ndërkohë që në det të hapur ka qenë 6 deri në 7 ballë, dhe në momente të veçanta edhe 8 ballë. Situata ka qenë e përkeqësuar edhe brenda në qytet. Për disa orë për arsye të kushteve jo të mira atmosferike ka munguar edhe energjia elektrike, dhe në shumë lagje. Madje në disa lagje si në 10 Korriku, pavarësia apo Uji i ftohtë, energjia ka munguar edhe gjatë orëve e para të mbrëmjes. Ndërkohë që furtuna e orëve të para të mëngjesit ka shkaktuar shumë dëme materiale në qytet, veçanërisht në pjesën jugore të tij. Disa lokale të porsangritura në mënyrë portative janë rrafshuar, disa shtylla të ndriçimit të qytetit janë rrëzuar, dhe për pasojë është rrëzuar një pemë në afërsi të skelës, ndërkohë që edhe disa tabela reklamash gjithashtu kanë rënë në tokë. Si rezultat i shiut të rënë për disa orë janë bllokuar si zakonisht disa rrugë në qytet, madje edhe bulevardi Vlorë Skelë në disa pika të tij. Ky bllokim ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve ndërkohë që për kalimtarët këmbësorë ka qenë e pamundur kalimi. Pas pushimit të shiut këto nyje janë liruar nga uji dhe kalimi është normalizuar.

V. Sako

Last Updated on Saturday, 15 May 2010 20:47

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›