E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq 'mbërthen' Shqipërinë, probleme nga veriu në jug

Moti i keq. Reshjet intensive të shiut dhe të borës që kanë filluar mbrëmjen e të enjtes dhe që po vazhdojnë ende, kanë krijuar probleme në disa segmente rrugore vend. Shirat e dendur kanë shkatuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu duke sjellë bllokim të një numri të madh aksesh rrugore, ndërkohë që dëbora ka sjellë përdorimin e nevojshëm të zinxhirëve në automjetet e udhëtarëve.

ELBASAN
Shirat e dendur të rëna gjatë mbrëmjes kanë përmbytur një pjesë te lagjes ‘Fushë Mbret’ në qytetin e Elbasanit. Ndërkohë, mësohet se automjetet të cilat udhëtonin paraditen e sotme në aksin rrugor Elbasan-Peqin janë bllokuar përreth 1 orë si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe vetëm pas ndërhyrjes së policisë, ky aks rrugor është bërë i kalueshëm vetëm në një korsi.
DURRËS
Kushtet atmosferike në gjirin detar të Durrësit kanë shkaktuar probleme në port. Autoritetet portuale bëjnë me dije se era sot do të ketë drejtimin veri-verilindje, me shpejtësi nga 8-10 m/sek. Temperaturat e ajrit në mesditë pritet të arrijnë vlerat maksimale 11-13 gradë celcius. Valëzimi brenda gjirit të Durrësit parashikohet të ketë forcën 2, ndërsa në det të hapur nga 4-5 ballë. Katër tragetet e linjës Bari – Durrës kanë mbërritur në port me vonesa shumë të vogla, ndërsa në mbrëmje priten tre tragete të tjerë. Në kalatat portuale proçesi i përpunimit të anijeve tregtare me mallra ushqimore është ndërprerë përkohësisht nga reshjet e shiut që vazhdojnë të bien.
VLORË
Reshjet intensive të shiut, kanë krijuar probleme në disa segmente rrugore në Vlorë. Disa nga rrugët kryesore, duke filluar nga ato përqark godinës së Universitetit “Ismail Qemali”, bulevardi Vlorë-Skelë në disa pika, kryqëzimi në afërsi të godinës së Zyrës së Punës, si dhe disa lagje periferike, janë përmbytur nga ujrat që kanë arritur në një lartësi prej rreth 15 cm. Kjo situatë ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, si edhe për kalimtarët. Ndërkohë, punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike kanë ndërhyrë dhe kanë normalizuar situatën në disa zona të tjera, duke larguar ujin.
Gjithashtu, reshjet kanë vështirësuar qarkullimin në disa segmente rurale, veçanërisht në rrugën Vlorë-Kuç, ku ka patur edhe rrëshqitje dherash, por pa pasoja të dukshme.
KUKËS
Reshjet e shumta shiu kanë përfshirë në orët e para të mëngjesit të së premtes qarkun e Kukësit, ndërkohë që në lartësinë e mbi 1000 metrave mbi nivelin e detit janë shfaqur edhe reshjet e dëborës. Në akset rrugore Kukës – Shishtavec, Kukës- Daj Rec, Kukës-Krumë dhe Kukës -Qafë Shllak janë shfaqur rrëshqitje dherash e gurësh, çka ka vështirësuar lëvizjen normale të mjeteve. Ndërsa në Qafë Shllak, Shishtavec, Arrën, Grykë Cajë, Kalis etj, lartësia e dëborës ka arritur në mbi 10 centimetra, ndërkohë që nuk ka rrugë të bllokuara edhe pse drejtuesit e mjeteve në këto zona këshillohen të lëvizin me zinxhirë.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›