Moti i keq në Lezhë, disa rrugë rurale ende të pakalueshme

Disa akse rrugore të Qarkut të Lezhës vazhdojnë të jenë të bllokuara nga dëbora dhe ngricat, bëri të ditur sot zëdhënësja e shtypit pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Lezhës, Elona Nika. Zëdhënësja deklaroi se sipas informacionit më të fundit, në disa akse rrugore të komunave të thella malore, qarkullimi është i pamundur për automjetet, për shkak të shtresës së borës dhe ngricës. "Rrugët rurale nga qyteti i Rrëshenit në drejtim të komunave të Kaçinarit dhe Selitës janë të pakalueshme, pasi trashësia e borës arrin 40-60 centimetra. Të bllokuara janë edhe qendrat e komunave Fan, Orosh dhe bashkitë e Rrëshenit dhe Rubikut, bashkë me fshatrat që i rrethojnë, ku trashësia e borës shkon nga 30-60 centimetra", tha Nika. Ajo sqaroi se aksi Milot-Qafë Bene dhe ai që shkon drejt Repsit, janë të kalueshëm, por me zhinxhirë. Po ashtu, rruga Shpal-Thirrë, që menaxhohet nga kompania Bektel-Enka, deri tani është e kalueshme me zinxhirë. "Për të përmirësuar qarkullimin, firmat që mirëmbajnë rrugët e kësaj zone po punojnë me borëpastrues dhe po hedhin skorje. Shtabi i emergjencës i ngritur pranë Prefekturës së Lezhës po bën të gjitha përpjekjet që të kthehet normaliteti në jetën e këtyre zonave", tha zëdhënësja Nika. Ajo bëri të ditur se forcat e Komisariatit të Policisë së Mirditës po bashkëpunojnë me Drejtorinë Rajonale të rrugëve dhe me firmat private, të cilat kanë ndërhyrë edhe me fadroma, për të mbajtur të kalueshëm aksin Rrëshen-Milot, ndërsa po punohet per zhbllokimin e segmentit Maja e Malthit-Qafë Benë, ku trashësia e borës është rreth 60 centimetra.
...