E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq në vend, përmbytje dhe bllokim rrugësh

Moti i keq. Reshjet intensive të shiut, që kanë filluar mbrëmjen e të enjtes dhe që po vazhdojnë ende, kanë krijuar probleme në disa segmente rrugore vend.

ELBASAN
Shirat e dendur të rëna gjatë mbrëmjes kanë përmbytur një pjesë te lagjes ‘Fushë Mbret’ në qytetin e Elbasanit. Ndërkohë, mësohet se automjetet të cilat udhëtonin paraditen e sotme në aksin rrugor Elbasan-Peqin janë bllokuar përreth 1 orë si pasojë e rrëshqitjeve të dheut dhe vetëm pas ndërhyrjes së policisë, ky aks rrugor është bërë i kalueshëm vetëm në një korsi.

DURRËS
Kushtet atmosferike në gjirin detar të Durrësit sot parashikohet të jenë përsëri të paqëndrueshme, bënë të ditur burime zyrtare nga kapiteneria e portit.Reshjet lokale kanë nisur natën e kaluar dhe gjatë ditës pritet të ketë përsëri vranësira dhe reshje shiu. Sipas të njëjtave burime, era sot do të ketë drejtimin veri-verilindje, me shpejtësi nga 8-10 m/sek. Temperaturat e ajrit në mesditë pritet të arrijnë vlerat maksimale 11-13 gradë celcius. Valëzimi brenda gjirit të Durrësit parashikohet të ketë forcën 2, ndërsa në det të hapur nga 4-5 ballë. Katër tragetet e linjës Bari – Durrës kanë mbërritur në port me vonesa shumë të vogla, ndërsa në mbrëmje priten tre tragete të tjerë. Në kalatat portuale proçesi i përpunimit të anijeve tregtare me mallra ushqimore është ndërprerë përkohësisht nga reshjet e shiut që vazhdojnë të bien. Një grup i vogël motopeshkatoresh janë nisur përsëri për gjueti kryesisht pranë brigjeve detare nga grykëderdhja e lumit Seman deri në atë të Bunës në veri, përfunduan burimet e kapitenerisë.

VLORË
Reshjet intensive të shiut, kanë krijuar probleme në disa segmente rrugore në Vlorë. Disa nga rrugët kryesore, duke filluar nga ato përqark godinës së Universitetit “Ismail Qemali”, bulevardi Vlorë-Skelë në disa pika, kryqëzimi në afërsi të godinës së Zyrës së Punës, si dhe disa lagje periferike, janë përmbytur nga ujrat që kanë arritur në një lartësi prej rreth 15 cm. Kjo situatë ka krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve, si edhe për kalimtarët. Ndërkohë, punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike kanë ndërhyrë dhe kanë normalizuar situatën në disa zona të tjera, duke larguar ujin.
Gjithashtu, reshjet kanë vështirësuar qarkullimin në disa segmente rurale, veçanërisht në rrugën Vlorë-Kuç, ku ka patur edhe rrëshqitje dherash, por pa pasoja të dukshme.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›