E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, 22-vjeçarja humb jetën gjatë lindjes

KORÇE – Një 22-vjeçare ka humbur jetën teksa ka lindur fëmijën e saj të dytë në Maternitetin e Korçës. Sipas mjekëve, Erjola Dinoshi nga fshati Klocë i Korçës, është paraqitur në spital në gjendje normale të një lindjeje, por nuk ka mundur ta shohë fëmijën e saj.

Foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa mbeten ende të paqarta shkaqet e vdekjes së 22-vjeçares. Mësohet se nëna e re e solli në jetë foshnjën e saj përmes një lindjeje normale dhe më pas pati disa komplikacione, shkaku i të cilave mbetet mister.

Ndërkohë mësohet se drejtoria e spitalit po zhvillon një mbledhje urgjente me personelin që ka asistuar në lindje, ndërsa pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të zbuluar shkaqet e vdekjes.

Burime jozyrtare nga spitali rajonal bëjnë të ditur se paraprakisht dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një hemorragji cerebrale.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›