Moti i keq pezullon lundrimet në portin e Durrësit dhe Vlorës
Moti i keq me erë të fortë dhe reshje ka krijuar probleme të shumta në portin e Vlorës dhe në atë të Durrësit. Burime nga kapitaneria e portit të Vlorës bënë të ditur se për një kohë të pacaktuar janë pezulluar lundrimet në këtë port, ndërkohë që mjetet janë stacionuar në radë, deri në përmirësimin e kushteve të motit.
Tragetet e linjës që duhet të mbërrinin paraditen e djeshme në Vlorë, nuk janë nisur fare nga Brindizi dhe shkak ka qenë moti i keq dhe deti i trazuar, që arrin deri në 7 ballë, që ka bërë të pamundur lundrimin. Por si pasojë e motit të keq, një anije mallrash me ekuipazh ka dalë në cektinë ditën e djeshme, në afërsi të plazhit të vjetër në Vlorës. Forcat e kapitenerisë kanë nisur menjëherë punën me rimorkiatorë për nxjerrjen e saj, ndërkohë që janë sinjalizuar mjetet e tjera lundruese të qëndrojnë në pritje. Probleme për shkak të motit janë shfaqur edhe në Portin e Durrësit, ku sinjalizohen vonesa në mbërritjen e planifikuar të trageteve. Deti edhe këtu mësohet se ka pasur forcë të konsiderueshme deri në 5 ballë, duke krijuar vështirësi serioze për lundrim. Në kushte të tilla, puna në port thuajse është paralizuar. Aktiviteti i mjeteve është ndaluar për shkak të reshjeve, e po ashtu edhe peshkarexhat nuk kanë dalë në peshkim.