Korçë aktivitete kulturore, për shkollën e parë shqipe
Në qytetin ku 122 vjet më parë u hap shkolla e parë shqipe kanë filluar përgatitjet për një ceremoni festive. Muzeu i Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë është kthyer në vendin më të vizitueshëm jo vetëm nga nxënës të shkollave 9-vjeçare të qytetit, por dhe një numër i madh shqiptarësh nga Kosova dhe Maqedonia.
Ekspozita historike rreth arsimit shqiptar, takime dhe shumë aktivitete të ndryshme po organizohen në Korçë, qyteti ku 122 vjet më parë, u hap shkolla e parë shqipe. Këtë vit, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore një numër i madh aktivitetesh do të organizohen me nxënësit që në mënyrë të organizuar të njohin historikun e tij. Por aktivitetet kryesore për 122-vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe do të zhvillohen nesër, ku Bashkia e Korçës në bashkëpunim me qendrën kulturore "Vangjush Mio" do të çelin ekspozitën me koleksione të rralla të botimeve për shkollat e para shqipe, në mjediset e Muzeut Kombëtar të Arsimit, ose sikurse dhe njihet, Mësonjtorja e parë shqipe. Veprimtaritë me rastin e 122 vjetorit të hapjes së Shkollës së parë Shqipe në Korçë do të vazhdojnë me dokumentarë për personalitetet e kulturës dhe arsimit shqip, si Aleksandër Xhuvani, Fan.S.Noli etj.