E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq, rrëshqitje dherash dhe ndërprerje energjie në disa qarqe. 50 shtëpi të përmbytura në Kurbin, vijon e bllokuar rruga Breg Lum-Theth

Moti i keq me reshje intensive të shiut ka përfshirë vendin, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile raporton se situata në vend paraqitet kryesisht e qetë dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar.

Megjithatë, në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive pasditen e djeshme kanë dëmtuar segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të Forcave të Armatosura, personat u evakuuan me sukses. Aktualisht, rruga mbetet e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet me mbështetjen e 10 efektivëve të FA.

Në bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë. Ndërsa në qarkun e Lezhës, në aksin Lezhë–Shëngjin, rrëzimi i një peme ka dëmtuar linjat elektrike, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë. Në rrugën Lezhë–Balldren, forcat operacionale po punojnë për pastrimin e inerteve nga rruga.

Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika të veçanta nga moti.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë 24 orëve të ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar. Në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash, ndërsa nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit priten reshje të shumta edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Parashikohet gjithashtu mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zonat luginore.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, në koordinim me strukturat vendore, për përballimin e pasojave të mundshme nga moti i keq.

Situata në qarkun Vlorë

Qarku i Vlorës vazhdon të përfshihet nga stuhi ere, e cila ka bllokuar lundrimin e mjeteve të vogla, peshkarexhave dhe tragetit të linjës Brindisi. Si pasojë e erës, është ndërprerë energjia elektrike në disa njësi administrative, përfshirë Orikum, Shushicë, Novoselë dhe Selenicë. Era ka shkaktuar gjithashtu rrëzimin e pemëve në zonën e pyllit të Sodës, duke penguar qarkullimin.

Situata në qarkun Lezhë

Përmbytjet kanë prekur disa zona të Qarkut Lezhë si pasojë e reshjeve të dendura dhe erës së fortë që vijojnë që nga mesnata. Në bashkinë Kurbin, rreth 50 banesa janë të përmbytura në njësitë administrative Mamurras, Fushë Mamurras, Drojë, Zhejë, Shpërdhet dhe Shmëri. Disa akse rrugore janë të pakalueshme, përfshirë nënkalimin Fushë Mamurras dhe fshatrat Skuraj, Vinjollë e Gallatë në njësinë Milot.

Në Lezhë, forcat bashkiake pastruan rrugët e bllokuara dhe evaduan ujërat në oborret e shkollave, ndërsa energjia elektrike është rikthyer në shumicën e fiderëve. Nënkalimi i superstradës në fshatin Ishull Lezhë mbetet i pakalueshëm.

Në Mirditë nuk ka problematika të raportuara. Furnizimi me ujë të pijshëm vazhdon normal, dhe hidrovorët janë në gatishmëri. Lumenjtë Drin e Mat janë brenda parametrave normal.

Situata në qarkun Kukës

I gjithë territori i Kukësit është përfshirë nga reshje me intensitet mesatar deri të lartë. Gjatë natës janë regjistruar rënie gurësh dhe inertes në rrugët nacionale, por të gjitha akset mbeten të qarkullueshme. Ndërprerje energjie ka patur në disa fshatra të bashkive Kukës, Has dhe Tropojë. Furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara, ndërsa situata monitorohet në vazhdimësi.

Situata në qarkun Shkodër

Në Bashkinë Shkodër, reshjet mesatare nuk kanë shkaktuar ndërprerje energjie, por rruga Theth–Breg Lumi në fshatin Gimaj mbetet e bllokuar pas shembjes së masivit, ndërsa po punohet për zhbllokimin e saj.

Në Bashkinë Vau Dejës ka mungesë energjie në disa njësitë administrative, por reshjet janë të menaxhueshme.

Bashkia Pukë raporton reshje mesatare pa problematika të tjera, ndërsa në Bashkinë Fushë Arrëz, reshjet e forta me rrufe kanë shkaktuar ndërprerje energjie në disa zona.  

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›