Moti, ministria e Brendshme: Reshjet e shumta të dëborës nuk kanë krijuar probleme

Tiranë, 31 janar NOA Ministria e Brendshme
ka njoftuar sot me anë të një deklarate për shtyp se gjatë 24 orëve të fundit në
veri dhe në juglindje të vendit ka pasur reshje të shumta shiu dhe dëbore por
situata është e normalizuar dhe akset kryesore janë të kalueshme.
Sipas emergjencave civile në qarkun e Shkodrës
situata është normalizuar.
Gjatë ditës së djeshme dhe gjatë natës së
kaluar në rrethin e Shkodrës ka pasur 125 mm shi. Të gjitha rrugët për në
fshatrat e komunave të përmbytura ditë më parë janë të kalueshme nga të gjitha
llojet e mjeteve.
Ka ende 1800 ha tokë me prezencë uji, 78
shtëpi të rrethuara nga uji dhe 3 shtëpi në prezencë uji.
Në rrethin e Pukës ka pasur dhe vazhdojnë të
bien reshje bore dhe shiu, të shoqëruara me temperatura të ulëta. Aktualisht
rrugët janë të kalueshme, me vështirësi dhe në disa segmente është i
detyrueshëm përdorimi zinxhirëve, si në rrugën Qafë Mali-Qafë
Shllak-Kukës-Morinë dhe në rrugën Qafë Mali-Fierzë.
E bllokuar në rrethin e Pukës mbetet vetëm
rruga për në Komunën Iballë.
Në Malësinë e Madhe të gjitha rrugët për në
qendrat e komunave janë të kalueshme nga automjetet, por në disa raste
nevojitet përdorimi i zinxhirëve, si në akset rrugore për në komunat Vermosh,
Kelmend, Shalë dhe Shosh.
Në Qarkun e Lezhës aktualisht situata
paraqitet normale, pavarësisht se reshjet kanë qenë intensive dhe vetëm dje dhe
gjatë natës së kaluar kanë renë 57 mm shi.
Në shkallë qarku rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme
plotësisht dhe mbahen në kontroll të vazhdueshëm nga shërbimet e qarkullimit
rrugor dhe Drejtoria Rajonale e Rrugëve.
Hidrovoret janë në gatishmëri dhe punojnë me
kapacitet të plotë.
Në Qarkun Kukës gjatë natës ka pasur reshje
intensive shiu dhe në zonat malore mbi 600 m ka pasur reshje bore. Aktualisht
reshjet janë ndërprerë.
Në të gjithë rrjetin rrugor nuk kemi probleme
të veçanta me qarkullimin e automjeteve. Moti sot është më i butë dhe pritet të
kemi pakësim të reshjeve.
Në qarkun e Kukësit janë të bllokuara rrugët
për në komunat: Arrën, Gryk Çajë dhe Zapod.
Në Qarkun e Dibrës gjatë natës së kaluar ka pasur
reshje intensive shiu dhe në zonat malore mbi 600 m reshjet kanë qenë në formë
dëbore.
Aktualisht bien reshje intensive bore në
rrethin e Dibrës, shoqëruar me temperatura të ulëta deri në -4 gradë Celcius.
Në rrethet Bulqizë dhe Burrel, reshjet kanë qenë më të pakta dhe aktualisht nuk
bien. Nga shirat e ditës së djeshme dhe gjatë natës që kaloi situata është
përmirësuar ndjeshëm në rrjetin rrugor.
Aktualisht të bllokuara janë komunat Kala e
Dodës në rrethin e Dibrës dhe Komunat Ostren dhe Trebisht, në rrethin e
Bulqizës.
Në shkallë qarku rrugët nacionale dhe rurale janë të kalueshme
plotësisht dhe mbahen në kontroll të vazhdueshëm nga shërbimet e qarkullimit
rrugor dhe Drejtoria Rajonale e Rrugëve.
Në Qarkun e Durrësit nga fryrja e lumit Ishëm
dhe lumit Tërkuzë në bashkimin e tyre, në afërsi me fshatin Mërqin, Komuna
Bubq, ka dalje të ujit në parcelat bujqësore dhe në një banesë uji ka prekur
edhe oborrin e saj. Probleme të tjera nuk ka pasur.
Në Qarkun e Korçës situata paraqitet normale.
Ka pasur borë në segmentin rrugor Qukës-Qafë
Thanë, por Drejtoria Rajonale e Rrugëve ka mbajtur në gatishmëri
borëpastrueset, të cilat nuk kanë lejuar për as edhe një moment bllokimin e
rrugës. Në akset e tjera rrugore nuk ka probleme.
k.k/NOA