E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti polar përfshin Shqipërinë, borë edhe në ultësira

Gjatë ditës së sotme, temperaturat do të jenë nën zero, ndërsa pasdite thuajse i gjithë vendi pritet të mbulohet nga dëbora.

Madje, sipas sinoptikanëve, reshje bore do të ketë edhe në zonat e ultësirës së vendit, si në Tiranë dhe në Durrës. Nisur nga kjo situatë, Drejtoria e Policisë së Shtetit, kërkon nga të gjithë drejtuesit e automjeteve që të jenë të vëmendshëm gjatë qarkullimit. Ndërkohë, masa janë marrë edhe nga Policia Rrugore në të gjithë vendin, si në ushtrimin e kontrolleve për respektimin nga ana e drejtuesve të mjeteve të kërkesave të Kodit Rrugor dhe në drejtim të pajisjes së tyre me pajisjet dimërore, me qëllimin që ata të udhëtojnë të sigurt drejt destinacionit të tyre.

Në këtë kontekst, Policia e Shtetit, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore,  porosit përdoruesit e rrugës që të tregohen të kujdesshëm, si dhe të respektojnë normat e përcaktuara në aktet ligjore, veçanërisht për respektimin e normave të shpejtësisë, mospërdorimin e pijeve alkoolike, përdorimin e rripit të sigurimit, shmangien e parakalimeve të gabuara, përdorimin e kaskave mbrojtëse, përdorimin e dritave jo verbuese si dhe përdorimin e zinxhirëve dhe gomave dimërore. Në çdo rast qytetarët mund të kontaktojnë me shërbimet e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin përmes numrit telefonik pa pagesë 129, si dhe numrit 126.

Akset e bllokuara aktualisht

Sipas të dhënave, aktualisht rezultojnë të pakalueshme akset Topojan-Shishtavec në rajonin e Kukësit, ndërkohë Topojan – Kukës i kalueshëm me zinxhirë. Kalohet me zinxhirë aksi Ujmisht – Lusën – Bushtricë-Kala Dodës në drejtim të Peshkopisë, si dhe aksi Shëmri–Qafë Shllak. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore të këtij qarku. Akset rrugore Peshkopi - Sllovë – Kala e Dodës,  Reç – Zall - Dardhë – Aras – Muhurr – Peshkopi janë të kalueshme me zinxhirë dhe me vështirësi, pasi ka shtresa akulli. Po ashtu akset Bulqizë – Shupenz – Ostren dhe Stëblevë – Librazhd  janë të  kalueshme me zinxhirë. Ndërkohë  aksi Aras – Lurë është i  pakalueshëm, po punohet për pastrimin e këtij aksi.

Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore. Në rrethin e Malësisë së Madhe ka dëborë në zonat e thella, lëvizet  me zinxhirë në aksin Koplik – Razëm. Po ashtu dhe në akset Bogë – Theth, Salcë – Vermosh, po punohet për pastrimin e tyre.  Në rrethin e Pukës, akset Fushë Arrës – Qafë Mali- Qafë Shllak,  Qafë Mali – Dardhë  dhe Fushë Arrës – Iballë janë të kalueshme me zinxhirë. Po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes së rrugëve në të gjitha akset rrugore.

Në akset në zonat e thella të Mirditës në drejtim të Lurës kalohet me zinxhirë.  Aksi Librazhd – Bulqizë momentalisht është i kalueshëm me zinxhirë dhe me vështirësi, pasi ka dhe shtresa akulli. Aktualisht po punohet për pastrimin e këtij aksi. Në segmentin rrugor Korçë – Qafa e Qarrit,  lëvizja e automjeteve bëhet me zinxhirë; po ashtu dhe në akset rrugor Korçë - Boboshticë – Dardhë dhe Korçë – Voskopojë qarkullohet me zinxhirë. Në segmentin rrugor Vlorë – Llogora, lëvizja e automjeteve në disa segmente që kanë shtresa akulli dhe vetëm gjatë orëve të natës dhe të mëngjesit, bëhet me zinxhirë, ndërsa gjatë orëve të mesditës kalohet pa zinxhirë. Aktualisht po punohet në vazhdimësi me entin pronar të rrugëve për normalizimin e gjendjes. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-02-01 08:34
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›