Moti shkakton kaos në Evropë
Për shkak të borës dhe akullit, në pjesën më të madhe të Evropës është çrregulluar plotësisht trafiku ajror dhe ai rrugor. Veçanërisht në Gjermani, Holandë, Zvicër, Francë, Britani të Madhe, Irlandë dhe Danimarkë.
Që nga Alpet e deri në Baltik Gjermania është mbërthyer nga bora dhe akulli, gjë që ka shkaktuar probleme dhe fatkeqësi të shumta në trafik, kolona disakilometërshe të automjeteve nëpër autostrada, dhe çrregullim total të fluturimeve nga dhe për në Gjermani. Për shkak të stuhive, që në disa zona të caktuara zgjatën më shumë se 24 orë, në aeroportet gjermane janë pezulluar me qindra fluturime.
Vetëm në aeroportin e Frankfurtit u njoftua për pezullimin e 200 fluturimeve, përderisa në aeroportin Tegel, në Berlin, u anulua një e treta e fluturimeve, qofshin ato të brendshme apo ndërkombëtare. Një situatë e ngjashme po mbretëron edhe në aeroportet në Dusedorf, Hamburg dhe Munich.
Meteorologët dhe shërbimet dimërore tërheqin vërejtjen që të udhëtohet vetëm atëherë kur kjo është e domosdoshme, ndërsa organizatat humanitare përkujtojnë se është vështirësuar tejmase jeta e të pastrehëve, për të cilët apeloi që të sigurohen strehime shtesë, për të mos u përsëritur rasti i dimrit të kaluar, kur nëpër rrugët e Gjermanisë u ngrinë të paktën 17 njerëz.
Për shkak të të reshurave të pandërprera të borës fluturime të shumta janë pezulluar edhe në Holandën fqinje, ndërkohë që në aeroportin Shiphol, të Amsterdamit, disa fluturime po shënojnë vonesa deri në pesë orë.
Të premten në mëngjes u raportua edhe për mbylljen e aeroportit të Gjenevës, ndërsa në atë të Cyrihut u njoftua për një çrregullim të plotët ë fluturimeve.
E të reshurat e 14 orëve të fundit, që ranë në Francë, duket se më së tepërmi e goditën veriun e vendit, ku të bllokuar nëpër rrugët e shumta nacionale mbetën mbi 2,500 kamionë, njoftoi agjencia AP.
Temperaturat tejet të ulëta dhe të reshurat e shumta të borës krijuan shtresa akulli edhe nëpër rrugët e Britanisë së Madhe, duke krijuar kështu probleme në trafik në gjithë vendin, ndërkohë që atje u raportua edhe bllokimin e transportit hekurudhor edhe për mbylljen e shumë shkollave.
Aeroporti në Belfast, në Irlandë, është mbyllur që nga mëngjesi i së premtes.
Në Danimarkë, ku, megjithëse borë po bie për javë të tëra, u raportua për lëndimin e 355 postierëve, derisa po shpërndanin dërgesa postare. Si pasojë, danezët duket se brengën më të madhe e kanë paralajmërimin se, për shkak të këtyre lëndimeve, pritet që të ketë vonesa të shumta të urimeve të Vitit të Ri. (Nga agjencitë)