E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motoçiklistët largohen nga Kosova, s`ka pasur incidente

Policia e Kosovës ka deklaruar se motoçiklistët që kishin ardhur nga Serbia në pjesën veriore janë larguar nga vendi dhe nuk është shënuar asnjë incident. Ky grup kishte ardhur mbrëmë vonë në Kosovë dhe thoshte se do të mbante koncert.

Zëdhënësi i policisë rajonale të Kosovës në Mitrovicë, Sami Mehmeti ka deklaruar se koncerti ka përfunduar pas orës 12 të natës, dhe në të kanë marrë pjesë 2000 – 2200 persona. “Grupet e motoristëve, që kanë hyrë mbrëmë në Kosovë, deri në mëngjes, e kanë lëshuar territorin e Kosovës në grupe më të vogla. Nuk ka pasur incidente, përveç një aksidenti në fshatin Rudare, kur një prej motoristëve ka dalë nga rruga dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore”, tha Sami Mehmeti.

Më herët mediat serbe kanë raportuar se më se një mijë motoçiklistë nga Serbia, mbrëmë kanë arritur në pjesën veriore të Kosovës, për të mbajtur një koncert me rok muzikë.

Banorët serbë të pjesës veriore me duartrokitje e kanë pritur ardhjen e motoçiklistëve.

Motoçiklistët kishin kanë kaluar në Jarinjë. Organizues të këtij aksioni thanë se viteve të mëparshme kishin sjellë ndihma humanitare dhe kishin dhënë gjak, ndërsa për këtë vit përgatisin ndihma në ilaçe, që do të duhej të arrinin nga Beogradi dhe t`u jepen serbëve në Kosovë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›