E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motorët e Japonisë

Holanda dhe Japonia janë kualifikuar për në fazën e dytë të Kampionatit botëror të enjten, derisa Danimarka dhe Kameruni janë eliminuar nga gara. Holanda, që mposhti Kamerunin 2-1 në Cape Town, përfundoi e para në Grupin E dhe do të takohet me Sllovakinë në rrethin e dytë të hënën në Durban.

Ndërsa Japonia mposhti Danimarkën 3-1 në Rustenburg dhe do të përballet me Paraguain në Pretoria të martën. Japonisë iu nevojit vetëm një barazim kundër Danimarkës për të kaluar në fazën e dytë, mirëpo ata filluan takimin furishëm dhe kaluan në epërsi 2-0 pas përfundimit të pjesës së parë me golat e realizuar nga dy goditje të lira; i pari nga një distancë prej mbi 30 metra që u shndërrua në gol nga Keisuke Honda në minutën e 17-të, ndërsa i dyti pas një goditjeje mjeshtërore afër zonës nga Yasuhito Endo.

Danimarka u rikthye në lojë 10 minuta para përfundimit të ndeshjes, kur portieri japonez Eji Kawashima e priti goditjen e Jon Dahl Tomassonit nga penalltia, mirëpo sulmuesi realizoi pas topit të rikthyer. Japonia vulosi fitoren duke shënuar golin e tretë nëpërmjet Shinji Okazakit, tre minuta para përfundimit të ndeshjes. Danimarka e filloi mirë takimin, por humbi kontrollin nga Japonia që u bë ekipi i dytë aziatik i cili pas Koresë së Jugut siguroi kalimin në fazën e dytë. Në ndeshjen tjetër, Holanda realizoi fitoren e tretë nga po aq ndeshje dhe siguroi pozitën e parë në Grupin E.

Pas fitoreve ndaj Danimarkës dhe Japonisë, Tulipanët mposhtën edhe Kamerunin me golat nga Robin van Persie dhe Klaas Jan Huntelaar. Golin e vetëm për Kamerunin e shënoi Samuel Eto’o nga penalltia. Holanda ka përfaqësuar më së miri ekipet evropiane në fazën e grupeve duke dominuar Grupin E, ndërsa Kameruni përfundoi i fundit dhe dështoi të realizojë objektivin e kualifikimit në Botërorin e parë në kontinentin e Afrikës.

Grupi E

Danimarka-Japonia 1:3
Kameruni-Holanda 1:2

Tabela

Holanda 3 9 pikë
Japonia 3 6
Danimarka 3 3
Kameruni 3 0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›