E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demolli: Të zbardhet fati i të zhdukurve

Një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë i kryesuar nga ministri Haki Demolli, po qëndron për vizitë pune në Bruksel (Belgjikë), ku është pritur nga znj. Viviane Reding, zëvendëspresidente e Komisionit Evropian për Drejtësi, të Drejta Fondamentale dhe Shtetësi.

Në këtë takim u diskutua për procesin e integrimit evropian në përgjithësi, me fokus në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë. Ministri Demolli riafirmoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Kosovës për të avancuar veprimet në agjendën evropiane.

Ai theksoi se dikasteri që drejton që nga fillimi ka analizuar të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit të Progresit dhe ka punuar me përkushtim në përmbushjen e tyre.

Gjithashtu, Demolli kërkoi nga zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian fillimin e bashkëpunimit me EUROJUST in, organ ky i BE së, i cili paraqet një rrjet të përhershëm të autoriteteve gjyqësore të ngarkuar me fuqizimin e efektivitetit të hetimeve dhe ndjekjes penale të krimit të rëndë jashtë kufitar
dhe krimit të organizuar në shtetet anëtare të BE së.

Në fund, Ministri Demolli i propozoi zëvendëspresidentes Reding, që të kërkojë nga Serbia të mos paraqitet si pengesë ne zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe të ofrojë informata dhe të bashkëpunojë lidhur me ketë çështje. Ndërkaq, zëvendëspresidentja Reding duke çmuar lart të arriturat e fundit në Ministrinë e Drejtësisë, shprehu gatishmërinë e saj që Komisioni Evropian të vazhdojë t'i ofrojë mbështetje dhe bashkëpunim Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës.

Gjatë kësaj vizite delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë ka realizuar takime edhe me znj. Tanja Fajon, deputete e Parlamentit Evropian, si dhe anëtare e Komisionit për të Drejtat, Liritë Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, me Pjer Mirel, drejtor për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim në Komisionin Evropian, me Lorens Meredith, shef i Divizionit të Komisionit Evropian për Kosovën, si dhe me znj. Ulrike Lunaçek, deputete dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›