E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho: Kurrë në Barcelonë

Jose Mourinho është pritur si hero, kur të enjten zbriti në Milano, pasi eliminoi Barcelonën dhe e dërgoi Interin në Finalen e Ligës së Kampionëve.

Tifozë në delir, që për këtë sukses në arenën ndërkombëtare kanë pritur 38 vjet, festuan me bori dhe me flamuj gjigantë në qendër të qytetit, ndërsa në Aeroport u shfaqen me një transparent që përshkruante luftën e futbollistëve për 94 minuta - “Mirë se u kthyet, Heronj”.

Ata ishin vërtet heronj. Për më shumë se një orë, 10 veta krijuan mbrojtjen më të mirë në jetën e tyre dhe të trajnerit që po i udhëheqë.

Mourinho, duke lavdëruar heroizmin e futbollistëve të tij, u tall me paralajmërimet e lojtarëve të Barcelonës, të cilët tri ditë para takimit thanë se do ta lënë lëkurën në fushë, në tentim për ta mposhtur Interin.

“Inter la në fushë gjakun, jo lëkurën”, tha ai.

"Ne ishim ekip i heronjëve në mejdan, ku heronjtë lënë gjakun e tyre. Ata deshën që të na e lënë lëkurën në fushë, por ne lamë gjakun".

Pasi ua prishi ëndrrën për Ligën e Kampionëve, me të arritur në Milano, Jose Mourinho ua çoi edhe një mesazh tifozëve të Barcelonës: Kurrë nuk do të jem “Special One” i juaj.

Ai pohoi se nuk ka gjasa që ta drejtojë Barcelonën, pasi këputi shpresat e klubit katalunas për ta kapur Finalen.

Tribunat në Nou Camp reaguan me zemërim, kur ai vrapoi në fushë, për të festuar suksesin e ekipit të tij.

“Nuk jam budalla të mendoj se kjo urrejtje e tyre mund të shndërrohet në dashuri”, tha Mourinho.

"Special One" është i njohur në mesin e disa tifozëve si “Përkthyesi”, pasi që aventurën në menaxhmentin e futbollit e filloi me atë rol, përkrah Bobby Robson në Nou Camp, para se të punonte nën urdhrat e trajnerit Louis Van Gaal për tri sezone në vitet ’90.

Strategu portugez, i cili do të takojë mësuesin e tij të vjetër, Van Gaal, në finalen e Madridit, e di se nuk do të jetë kurrë Bos i Barcelonës.

“Është e qartë se do ta përfundoj karrierën time pa e drejtuar ekipin e Barcelonës”, u shpreh ai.

Ndeshja e së mërkurës ishte përballja e dhjetë ndërmjet Mourinhos dhe Barcelonës, në gjashtë vjetët e fundit. Gjashtë herë është takuar me të, si trajner i Chelseas dhe katër herë si trajner i Interit. Gjashtë nga këto takime ishin me karakter eliminues, ndërsa Mourinho eliminoi Barcelonën dy herë nga Europa.

“Nëse nuk do t’i kisha mposhtur kurrë , ata nuk do të më urrenin”, tha Mourinho.

Dhe trajneri i Interit tash beson se është më i urryer se ish futbollisti i Barcës, Luis Figo, i cili u largua nga klubi për t’u transferuar te Real Madrid dhe për këtë kurrë nuk është falur nga tifozët katalunas.

“Figo më tha se ishte i qetë, sepse tash isha unë personi që ata urrejnë, sepse tash unë isha armiku i tyre i ri”, deklaroi portugezi.

Mourinho shpalosi çelësin e suksesit kundër Barcelonës, që ishte heqja dorë nga posedimi i topit.

“Ne nuk e donim topin. Sepse, kur Barcelona bën presion dhe fiton topin, ne humbim pozicionet tona. Kurrë nuk dua t’i humb pozicionet në fushë. Kështu që, nuk doja ta mbanim topin, prandaj e largonim atë”.

Ai u kishe kërkuar futbollistëve të tij të jenë kompaktë, duke i mbyllur të gjitha hapësirat. Për fatin e tij të mirë, ata e dëgjuan në mënyrë perfekte.

Portugezi karizmatik, i cili ka pasur mospajtime me mediat dhe drejtuesit e futbollit italian, gjithmonë është adhuruar nga tifozët e Interit, edhe përkundër faktit se kishte pranuar hapur që e urren Italinë dhe se një ditë do të largohet drejt Spanjës ose Anglisë.

E ardhmja e tij në Inter është e pasigurt, pavarësisht nëse e ndjek suksesi ose nëse mediat italiane lavdërojnë taktikat e tij gjeniale.

Por, askush s’mund ta mohojë se njeriu që eliminoi Barcelonën dhe Chelsean, me të vërtetë është Special One.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›