E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina, afër titullit

Sigal Prishtina është shumë afër të shpallet kampion i ri i Kosovës në basketboll. Bardhekaltrit të enjten e kanë mposhtur Trepçën në Pejë me rezultat 58:71, në ndeshjen e dytë finale të play-off-it të TechnoMarket Superligës, e cila u zhvillua pa praninë e publikut.

Tani Sigal Prishtina udhëheq 2:0 me ndeshje ndaj Trepçës, kundër së cilës skuadër ekipit kryeqytetas i nevojitet vetëm edhe një fitore për ta mbrojtur titullin e kampionit.

Në fakt, gjatë pjesës së parë forcat në parket thuajse ishin të barabarta, kurse në pjesën e dytë Sigal Prishtina shpërtheu.

Trepça çerekun e parë të takimit e përmbylli me vetëm një pikë avantazh ndaj Sigal Prishtinës. 14:13. Kurse në çerekun e dytë prishtinasit ishin paksa më të mirë, duke e përmbyllur këtë periudhë loje me rezultat 12:14, respektivisht me rezultat të përgjithshëm 26:27. Në periudhën e tretë të lojës, bardhekaltrit u shkëputën në rezultat ndaj Xehetarëve, çerek që përfundoi me rezultat 11:18, përkatësisht me rezultat të përgjithshëm 37:45. Në çerekun e fundit, Sigal Prishtina shënoi më së shumti pikë krahasuar me çerekët e tjerë – 26 sosh, ndërsa Trepça i realizoi vetëm 21 pikë për rezultat përfundimtar 58:71.

Lojtari më i dalluar në radhët e prishtinasve në këtë takim ishte kapiteni Edmond Azemi, i cili i realizoi 19 pikë. Kurse nga ana e mitrovicasve më i disponuari për lojë ishte Drilon Hajrizi, i cili i shënoi 20 pikë.

Në këtë fundjavë në kryeqytet do të zhvillohet ndeshja e tretë finale e play-off-it mes këtyre dy ekipeve, ku Sigal Prishtina ka gjasa të mëdha që ta çojë lart trofeun e titullit të kampionit për të pestën herë rresht, respektivisht të shtatin në periudhën e pasluftës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›