Mourinho, arrogant dhe i pafuqishëm

Ish legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff ka përshkruar sjelljen e Jose Mourinhos në Superkupën e Spanjës si veprim të “arrogancës dhe pafuqisë”.
Trajneri i Real Madridit u pa duke ia futur gishtin në sy asistentit të Barcelonës, Tito Vilanova, gjatë ndeshjes së kthimit të Superkupës së Spanjës, ku ekipi katalan fitoi 3-2 (5-4, rezultati i përgjithshëm).
Duke komentuar incidentin, Cruyff mendon se Mourinho këtë herë e ka tejkaluar kufirin. “Ajo që bëri është veprim arrogant dhe i pafuqisë. Shumëkush thotë se ai e bëri për të kthyer vëmendjen ndaj tij dhe t’i bëjë njerëzit të flasin për incidentin në vend të ndeshjes, por nuk besoj në këtë”, tha ish reprezentuesi holandez për El Periodico de Catalunya.
“Problemi është se ai është duke u bërë i obsesionuar nga dështimet për të mposhtur Barcelonën. Ai këtë herë e ka tejkaluar kufirin. Shumëçka ka ndodhur mes ekipeve në të kaluarën, por kurrë nuk ka qenë kaq keq”, përfundoi ai.
Federata Spanjolle e Futbollit ka nisur hetimet ndaj sjelljes së Mourinhos, por ende nuk ka marrë vendim përfundimtar rreth dënimit eventual për trajnerin e Realit.