E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajnerë të mëdhenj, pa punë

Carlo Ancelotti, Rafael Benitez, Louis van Gaal, Marcelo Lippi e Claudio Ranieri përveç se janë trajner të mëdhenj, kanë një tjetër të përbashkët. Aktualisht të gjithë janë pa skuadër. Mes vete kanë të fituar 16 tituj dhe pesë Liga të Kampionëve, por mbeten në pritje të ofertave. Nga Express më 06 shtator 2011 në ora 08:14

Asnjëherë më tepër se këtë vit nuk ka pasur trajnerë të mëdhenj me karrierë të begatshme që nuk gjenden në pankinë të ndonjë skuadre.

Ata ende mbeten duke pritur oferta, edhe pse sezoni i ri 2011-2012 ka filluar në të gjitha ligat kryesore evropiane. Carlo Ancelotti, Rafael Benitez, Louis van Gaal, Marcelo Lippi, Claudio Ranieri janë në mesin e atyre që nuk janë në drejtim të ndonjë skuadre.

Mes vete kanë 16 tituj dhe 5 trofe të Ligës së Kampionëve. Të gjithë të suksesshëm, por aktualisht pa skuadër. Më i kërkuari dhe më i vështiri për t’u bindur është Carlo Ancelotti, i cili pas përfundimit të aventurës në Chelsea ka vendosur të merr rolin e komentuesit televiziv në Sky.

Ai do të analizojë ndeshjet e Ligës së Kampionëve, garë të cilën e fitoi dy herë si trajner i Milanit. Por, sa do të mbetet? PSG e mikut të tij Leonardo besohet se e mban në ‘pol-pozitë’, por konsiderohet se mund të jetë kandidat në Arsenal në rast të largimit eventual të Arsene Wengerit.

Tani për tani nuk flitet për një rikthim të tij në Itali, edhe pse ai vetë është shprehur se do të dëshironte që një ditë të udhëhiqte Romën. Pikërisht Roma ishte aventura e fundit për Claudio Ranierin, edhe ai aktualisht analist në televizion (përcjell Italinë për Rai).

E kërkon Zamparini në Palermo, por ka marrë një ofertë nga një klub jashtë Italisë dhe ende është i pavendosur. Në pritje të një thirrjeje prestigjioze është edhe Rafael Benitez, i papunë prej shkarkimit nga Inter në fund të vitit të kaluar, si dhe Louis van Gaal, i cili në fund të sezonit të kaluar u largua nga Bayern Munich.

Holandezi kërkohej nga Juventus dhe Roma. Në listë edhe Marcelo Lippi, fitues i Kampionatit botëror 2006 me Italinë, i cili pas Botërorit 2010 është i lirë në pritje të ndonjë projekti interesant. Edhe emri i tij është përmendur si pasardhës i mundshëm i Wengerit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›