Mourinho brengoset për Interin

Trajneri i Real Madridit e ka shfaqur simpatinë e tij që ndien për Interin, derisa klubi italian vazhdon të vuajë këtë sezon. 48 vjeçari, i cili fitoi ‘Triplete’ me Nerazzurrët, në vitin e tij të dytë në San Siro, ka thënë se mbetet ende fans i Interit dhe se është i lidhur me ish klubin e tij, i cili i humbi katër nga gjashtë ndeshjet e para në Serie A, në sezonin 2011-12.
“Unë nuk e pëlqej këtë seri të rezultateve. Jam gjithmonë prapa ish klubit tim, ish lojtarëve të mi, ish presidentit tim dhe prapa trajnerit”, deklaroi Moutinho për La Gazzetta Dello Sport.
Përkundër rezultateve të dobëta dhe formës jo të mirë, Mourinho beson se Interi do të kthehet shumë shpejt. “Unë mbetem optimist. Ata mund t’i kenë edhe një, dy, tre, katër apo pesë rezultate të dobëta, por unë do të vazhdoj të besoj se ata do të kthehen”, shtoi ai.
Mourinho po ashtu e hodhi poshtë mundësinë që Marco Branca ta lë postin e tij tek Interi si drejtor sportiv, për t’iu bashkuar atij në Madrid. ‘Special One’ gjithashtu tha se është i lumtur në Real Madrid dhe se është i kënaqur me stafin që e përbën klubin madrilen.