E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktori Ali Ahmeti shembull për brezat e rinj

Personalitete të shumta nga jeta kulturore, politike, si dhe qytetarë të shumtë, kanë bërë homazhe gjatë ditës së hënë para trupit të pajetë të aktorit të njohur Ali Ahmetit, i cili ndërroi jetë të shtunën në moshën 66 vjeçare pas një sëmundje të rëndë. Vdekja e aktorit nga të pranishmit është vlerësuar si humbje e madhe jo vetëm për teatrin, por edhe për mbarë popullin shqiptar.

Për homazhe ishte edhe ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i cili vlerësoi se vdekjen e aktorit Ahmeti e quajti moment të pikëlluar dhe humbje për skenën teatrore, artistike dhe kulturore të republikës së Kosovës.

“Humbja e Ali Ahmetit është humbje për të gjithë skenën teatrore, artistike dhe kulturore të Republikës së Kosovës. Ali Ahmeti ishte ndër aktorët më të popullarizuar dhe më të dashur, gjatë një karriera të gjatë dhe të bujshme përmes shumë roleve ai u bë pjesë e gjitha familjeve tona. Andaj me të vërtetë është një moment i pikëllues për të gjithë ne dhe për gjithë artdashësit në veçanti dhe për skenën e Teatrit Kombëtar, ku ai i dha vitet e tëra të jetës së tij”, ka thënë ai.

Sipas ministrit Krasniqit, vepra e Ali Ahmetit padyshim do të mbetët përgjithmonë e paharruar dhe shembulli i tij dhe dashamirësia duhet të jenë frymëzim për të gjitha gjeneratat e reja dhe për të gjithë aktorët dhe punëtorët e skenës teatrore.

Ndërsa kolegu i aktorit të ndjerë në serialin “Kafeneja Jonë”, Fatmir Spahiu ka thënë se vdekja e Ali Ahmetit i ka krijuar boshllëk, pasi që ka humbur një mik të brezit të vjetër dhe një koleg të jashtëzakonshëm.

Kurse sa i përket skenës artistike, sipas Spahiut Kosova ka humbur një aktor shumë të përshtatshëm, sidomos një aktor të komedisë.

“Për mua personalisht vdekja e axhës Ali krijon një boshllëk në kuptimin që kam humbur një mik të brezit të vjetër një koleg të jashtëzakonshëm, kurse sa i përket skenës artistike, Kosova ka humbur një aktor shumë të përshtatshëm, sidomos një aktor të komedisë. Të rrallë janë ata sidomos të brezit të vjetër që bëjnë komedi, por axhi Ali ka ditë dhe ka mundur. Kemi kaluar 7 vjet së bashku në serialin “Kafeneja Jonë” dhe në disa projekte të tjera dhe definitivisht do të më mungoj shumë”, është shprehur ai.

Edhe aktori, Fatos Kryeziu, vdekjen e aktorit Ali Ahmeti e ka vlerësuar si një humbje të madhe për kulturën dhe popullin shqiptar.

“Mos të jemi shabllon si pas çdo vdekje të çdo aktori vijnë lëvdatat më të mëdha, por të jem i sinqertë, axha Ali edhe pse ka qenë gjeneratë ma e vjetër se ekipa e Kafenesë, ka qenë shumë më i ri se ne në shumë momente, qoftë në prova qoftë në xhirime. Është një humbje e madhe për popullin tonë, gjithashtu do të jetë mungesë për ekipen e serialit Kafeneja jonë”, ka thënë ai.

Aktori i njohur Ali Ahmeti ka ndërruar mbrëmë jetë në moshën 66-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë. Ai ka luajtur në shumë filma dhe seriale, ku ndër të fundit luante rolin e Elezit te “Kafeneja jonë”. Ali Ahmeti është babai i nënkryetarit të Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›