E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho e Ronaldo drejt Parisit

Thonë që do të largohen, madje thonë që do të ikin së bashku. José Mourinho dhe Cristiano Ronaldo janë dy emrat që do të ndezin merkaton e verës. Sipas gazetave spanjolle, trajneri portugez po përgatit në mënyrë të fshehtë lamtumirën nga “Santiago Bernabeu”.

Të përditshmet katalane shkonin deri aty sa shkruanin se Mou po programon edhe fushatën e blerjeve të PSG-së. Trajneri e ka shprehur qartë: objektivi kryesor në merkato do të jetë Cristiano Ronaldo.

Pas Portugalisë, Anglisë, Italisë dhe Spanjës, etapa e radhës në karrierën e Mourinhos duket se do të jetë Franca. Një tjetër aventurë ku do të përfitojë miliona euro rrogë, e ku mbi të gjitha do të ketë në dispozicion disa prej yjeve më të mëdhenj të futbollit.

Pasi fitoi titullin në La Liga, objektivi që te Reali kanë vendosur për teknikun portugez është trofeu i Champions League, i cili do të ishte i dhjeti në histori. Në rast triumfi, Mourinho do të largohej si fitues, në të kundërt duhet të dijë edhe të humbasë.

Te Paris Saint Germain “Special One” do të ndërtonte një projekt për të dominuar në Francë, por edhe për të provuar suksesin në Europë. Me fondet e pakufizuara të sheikëve nga Katari, gjithçka do të ishte e realizueshme.

Luzitani do të merrte përsipër detyrën për të realizuar atë që askush më parë nuk e ka arritur: të udhëheqë PSG-në drejt fitimit të Champions. Që kjo të ndodhë, ai kërkon të marrë me vete edhe Cristiano Ronaldon, emri i të cilit ka kohë që lidhet me klubin parizien, për t’iu bashkuar yjeve si Ibrahimovic, Lavezzi e Menez.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›