E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho i palumtur në Itali

Jose Mourinho i ka ndezur edhe më shumë spekulimet për të ardhmen e tij, disa orë para se Inter të takohet me CSKA Moscow, në kuadër të Ligës së Kampionëve.

“Jam shumë i lumtur në Inter, por nuk jam i lumtur në futbollin italian. Kjo është e qartë”, ka thënë portugezi, të martën.

“Mua nuk më pëlqen futbolli italian, e as unë nuk u pëlqej atyre. Thjesht”, ka shpjeguar ai më tutje.

Mourinho e ka bërë të qartë dëshirën për rikthim në Angli, ku për tri vjet e gjysmë kishte kapur suksesin, famën dhe adhurimin.

“Më mungon Premierliga dhe Premierligës i mungoj unë”, është shprehur Special One, në stilin e tij tipik.

Mirëpo, ai nuk ka dashur të shkojë më tutje, kur është pyetur nëse në fund të sezonit do ta merrte në konsideratë ofertën e ndonjë klubi anglez.

“Tash për tash jam duke menduar vetëm për Interin. Jam shumë i zënë me Kampionatin, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve”.

Kjo është hera e parë që Jose Mourinho ka folur para gazetarëve, që nga fitorja kundër Chelseas, në Stamford Bridge.
Ai ka bojkotuar mediat italiane muajin e fundit, pasi që Federata e dënoi me tri lojë jashtë vijave të fushës, për shkak të gjestit të famshëm me duart e prangosura, si protestë ndaj vendimeve të gjyqtarëve.
Por, rregullat e UEFA’së e nxorën nga ekzili i heshtjes.
Në konferencën e ftuar për media për ndeshjen e Ligës së Kampionëve, Mourinho ka shpjeguar pse ka refuzuar të flasë për Serie A.

“Unë gjithmonë flas me zemër. Por nëse këtë e bëj në Itali, suspendohem. Nëse flas në mënyrën time, me çiltërsi, për Serie A, atëherë suspendohem. E nuk dua të suspendohem sërish”, ka deklaruar ai.

Prandaj, sipas llogarive, më mirë i bie të heshtë.

“Është mënyra e vetme që unë të mund të rri në bankinë. Kjo është e rëndësishme për mua”.

Koha e Jose Mourinhos në Itali është karakterizuar me një marrëdhënie jo të lehtë me autoritetet e sportit dhe mediat, ndërkohë që suksesshëm ka udhëhequr Interin në Serie A dhe aktualisht konsiderohet se do ta dërgojë edhe në Gjysmëfinalen e Ligën së Kampionëve.

“Këtë vit, Inter është i shkëlqyeshëm në Ligën e Kampionëve. Jemi takuar me tetë ekipe, përfshirë edhe dy në mesin e më të mirave në botë, Barcelonën dhe Chelsean. Pa dyshim, kjo është ecja më e mirë që ka pasur Inter në vitet e fundit, dhe do të bëjmë gjithçka për të arritur në finale”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›