Fitore dramatike, Bajerni hakmerret për finalen e 99
Bajerni dhe Lioni përfitojnë nga faktori fushë dhe fitojnë dy ndeshjet e para në çerekfinalet e Champions League. Bavarezët kanë realizuar një përmbysje të jashtëzakonshme, duke u hakmarrë në njëfarë mënyre për humbjen e finales së vitit 1999 me Junajtid. Ivica Oliç ishte heroi i gjermanëve, me golin e realizuar në minutën e tretë shtesë. Fitore bindëse për Lionin, që mposhti 3-1 Bordonë dhe tashmë ka shanse të mira të kualifikohet.
Në “Alianz Arena” janë përballur dy formacione të nivelit të lartë, në një mbrëmje gala të futbollit. Trajneri Van Gal nuk ka pasur në dispozicion holandezin Arjen Roben, i cili nuk arriti të rikuperohet nga dëmtimi në pulpë dhe të skualifikuarin Shvajnshtajger. Në këtë mënyrë, Altintop është aktivizuar në krahun e djathtë, ndërsa Pranjiç në qendër përkrah Van Bomel. I rikthyeri Demikelis ka kompletuar dyshen e qendrës në mbrojtje me Van Bujten. Në sulm, së bashku me Muler ka luajtur Oliç dhe jo Klose. Mançesteri është prezantuar me formacionin e zakonshëm 4-3-3: Ferdinand, ashtu si edhe Runi u kthyen titullarë pas pushimit në kampionat. Përkrah sulmuesit në repartin ofensiv janë aktivizuar Park dhe Nani. “Djajve të Kuq” u kanë mjaftuar vetëm 66 sekonda lojë për të gjetur golin e avantazhit. Runi ka përfituar nga një goditje dënimi, e cila ngjasonte thuajse me një goditje këndi dhe falë pakujdesisë së Demikelis nuk e kishte të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë, pas shpinës së portierit Bat. Bajerni vuan goditjen e shpejtë dhe nuk arrin të dalë në lojën më të mirë. Në të 21-tën, gjermanët provojnë me Riberi, por gjuajtja e mesfushorit neutralizohet nga Van der Sar. Pak çaste më vonë është sërish Junajtid që rrezikon me Nanin. Portugezi “deh” Badshtuber dhe harkimi i tij përplaset në traversë. Në të 28-n, bavarezët kanë shansin më të mirë për të barazuar, por Oliç, i ndodhur në pozicion të rregullt vetëm pak hapa larg portës kundërshtare, nuk arrin të devijojë drejt rrjetës një pasim të Riberi. Fraksioni i dytë i lojës, fillon me Bajernin menjëherë kërcënues dhe që i imponon të besuarve të Sër Aleks Ferguson ritmin e tij të lojës. Minuta e 56 sjell një driblim të jashtëzakonshëm të Altintop, i cili kalon çdo fanellë të bardhë që gjen në zonën e Mançesterit dhe godet fortë: Van der Sar ka grushtuar, duke larguar rrezikun. Bajerni barazon në të 77-n me Riberi: francezi ekzekuton një goditje dënimi në kufi të zonës dhe falë devijimit të pafat të Geri Nevil, e dërgon sferën në rrjetë. Minuta e 83 sjell një tjetër traversë për Mançesterin, me Vidiç. Shansi i humbur i anglezëve shfrytëzohet nga gjermanët. Në minutat e mbetura, skuadra e Van Gal nuk është dorëzuar, madje ka rrezikuar disa herë të shënojë. Por, rrjeta e fitores ka ardhur vetëm në minutën e tretë shtesë, me Ivica Oliç, që përfiton nga një gabim fëmijënor i Evrasë. Në sfidën tjetër, Lioni mposht 3-1 Bordonë dhe duket se e ka siguruar “biletën” për në gjysmëfinale. Vendasve u mjaftojnë vetëm 9 minuta për të realizuar golin e parë me Lisandro Lopez. Bordo reagon me çamak vetëm 4 minuta më pas, megjithatë, vendasit janë dukshëm dominues. Në të 31-n, Mishel Fernandes Bastos realizon rrjetën e dytë për Lionin, ndërsa në të 78-n është sërish Lisandro Lopez që trefishon shifrat dhe “vulos” kapitullimin e skuadrës surprizë të Loren Blank.
#