Real-Barcelona në rrezik, lojtarët përgatisin grevën
Një grevë e mundshme e futbollistëve spanjollë kërcënon zhvillimin normal të ndeshjeve të La Ligas më 10-11 prill, periudhë në të cilën është parashikuar të luhet edhe përballja ndërmjet Realit të Madridit dhe Barcelonës. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta “Marca”, e cila shkruante se Shoqata e Futbollistëve Spanjollë (AFE), diskutoi të hënën rreth masave që duhen marrë, për të detyruar klubet (kryesisht ato të ligave më të ulëta), që t’i paguajnë sportistëve rrogat e prapambetura. E përditshmja madrilene theksonte se sipas të gjitha gjasave, greva do të zhvillohet në ditën kur duhet të luhet “El Clasico” e futbollit iberik, një sfidë që tërheq vëmendjen e të gjithë botës. AFE bëri të ditur se vetëm 15 për qind e klubeve spanjolle nuk ka probleme me pagesat e lojtarëve të tyre. Kur kanë mbetur edhe 10 javë nga mbyllja edicionit në La Liga, Real Madridi i Manuel Pelegrinit dhe Barça e Pep Guardiolës kanë pikë të barabarta në klasifikim dhe përballja në “Santiago Bernabeu” mund të jetë vendimtare për titullin.
#