Milan, Pato drejt Çelsit për rreth 80 milionë euro
Pas Rikardo Kakasë, Milani po përgatitet për të shitur një tjetër yll të skuadrës. Tifozët kuqezinj janë tronditur nga spekulimet që qarkullojnë në Milanelo, se Aleksandre Pato mund të “sakrifikohet” për të rregulluar bilancet e klubit. “Djalli” duket se ia ka premtuar sulmuesin brazilian çelsit të Roman Abramoviç. Pato ishte fare pranë transferimit te blutë e Londrës gjatë verës që kaloi, por marrëveshja nuk u realizua. Gjithsesi, anglezët nuk i shpenzuan 70 milionë eurot që kishin përgatitur për të siguruar shërbimet e 20-vjeçarit. Përflitet se Pato mund ta vazhdojë karrierën në Premiership për një shifër ndërmjet 60 dhe 80 milionë eurove (ku është më pranë 80-shes). Për një shumë të tillë, në rrugën “Turati” janë të gatshëm t’i hapin “dritën jeshile” negociatave. Vetëm në këtë mënyrë, Milani do të kishte në dispozicion për merkaton një buxhet me vlerë afro 100 milionë euro, për t’u përforcuar. Xheko e Krasiç janë objektivat kryesorë, edhe pse tifozeria vështirë se mund ta tolerojë largimin e dytë të madh në dy vitet e fundit.
#