E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho vs Balotelli

Sa ishin së bashku në Inter, pothuajse asnjëherë nuk kishin paqe dhe rehati. Tani do të ndeshen si kundërshtarë në Ligën e Kampionëve dhe pritet një përballje e nxehtë. Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli ishte kritikuar shpeshherë nga trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho dhe kampioni i Premierligës pret që italiani të ketë motivim shtesë në përballjet me gjigantin madrilen.

Jose Mourinho e quajti Mario Balotelli “futbollist të pamenaxhueshëm”, kur ata ishin së bashku në Inter. Tani ata do të takohen sërish në Grupin D të Ligës së Kampionëve, ku Manchester City ka për kundërshtar Real Madridin.

Dhe, zyrtari i Cityt, Patrick Vieira, ka pranuar se Balotelli do të jetë i motivuar derisa dy prej karaktereve më të përfolur në futbollin evropian takohen në Bernabeu pas dy javësh. City e fillon rrugëtimin drejt Wembleyt te shtëpia e nëntë herë kampionit të Evropës, Reali.

Ata po ashtu do të kenë punë me kampionin e Bundesligës, Borussia Dortmund dhe gjigantin holandez Ajax. Por, e gjithë vëmendja do të jetë te Balotelli dhe Mourinho, pasi marrëdhënia e tyre e tensionuar dominoi ballinat e gazetave italiane dy vite më parë, kur ata ishin anëtarë të Interit. Vieira, zyrtar i zhvillimit të futbollit në Etihad, përfaqësoi kampionin e Premierligës në tërheqjen e shortit në Monaco të enjten.

Ai ishte bashkëlojtar i Balotellit në Giuseppe Meazza, kur Mourinho ishte në drejtim të klubit dhe ka përvojë të brendshme për raportin mes çiftit. “Mario është Mario dhe Jose është Jose. Një gjë është e sigurt se në përballje me Realin, Dortmundin dhe Ajaxin, Mario do të kërkojë të luajë mirë dhe shënojë gola”, deklaroi Vieira për The Sun.

“Duke pasur parasysh si luajti në Euro 2012, të gjithë ne kemi pritje të mëdha nga Mario. Ai ishte një prej futbollistëve më të mirë. Pa marr parasysh se me kë takohemi, Mario do të mundohet të paraqitet me sukses”, shtoi ish reprezentuesi francez. Mourinho shpeshherë e kishte lënë Balotellin jashtë ekipit para largimit nga klubi më 2010 dhe një herë vlerësoi një paraqitje të sulmuesit si “gati zero”.

Balotelli e përcolli Mourinhon në largim nga Inter. Për ironi, trajneri që e promovoi Balotellin në ekipin e parë të Interit ishte paraardhësi i Mourinhos, Roberto Mancini, aktualisht menaxher i Cityt. Mourinho dhe Mancini kurrë nuk kanë pasur marrëdhënie të mira prej shkarkimit të italianit nga Inter, edhe pse fitoi tre tituj me radhë në Serie A. Vieira, i cili punoi me të dy te Nerazzurrët, lavdëroi strategun portugez.

“Ku do që ka qenë, ka arritur sukses; Chelsea, Inter, Real Madrid. Premierliga nuk ka sekrete për të. Ai e përcjell pandërprerë Premierligën. Do të jetë një ndeshje e mirë për Josen dhe Mancinin, vërtet interesante. Si klub, kur luani në Ligën e Kampionëve, gjithmonë i dëshironi këto lloj ndeshjesh”, theksoi ai.

Mancini do të jetë nën presion të arrijë më tepër se sezonin e kaluar, kur skuadra e tij u eliminua në fazën e grupeve. Njësoj me të edhe Balotelli do të mundohet të dëshmojë talentin e tij në garën elite të klubeve evropiane, ku me Mourinhon pati më shumë tension dhe mosmarrëveshje sesa gola të realizuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›