E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basket Shqiperia humb ne Zvicer

Ka qenë një kontribut i mirë në pikë i Gerti Shimës dhe i Hysenagollit në tabela dhe Shqipëria e koshit arrin të shmangë të paktën turpërimin në të pestën përballje të eleminatoreve të Europianit. Humbjes nuk i ikëm dot as në Zvicër, në Friburg, në prani të 350 shikuesve, veçse u thyem 84-93 duke vazhduar të jemi të fundit në tabelë me 5 humbje në 5 takime.
Vendasit vendosën supremaci në dy periodat e para duke u shkëputur me 15 pikë në pushim të ndeshjes, por në çerekun e tretë të ndeshjes pati reagim nga ana basketbollistëve tanë, të cilët në përfundim të këtij 10-minutëshi u afruan në vetëm 3 pikë diferencë.
Veçse, ky ritëm nuk u mbajt deri në fund dhe zviceranët ia arritën ta fitonin ndeshjen me 9 pikë epërsi. Kjo ishte fitorja e dytë e Zvicrës në këto eleminatore, të dyja të arritura ndaj Shqipërisë.
Më datë 2 shtator, skuadra e trajnerit Roland Avrami do të luajë në Tiranë ndaj kryesueses së grupit, Finlandës. Ekipi finlandez ka 4 fitore në 4 ndeshje me një pikaverazh shumë të mirë: 379 pikë të shënuara dhe 276 të pësuara. Kuqezinjtë kanë shënuar 338 dhe kanë pësuar 483 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›