Moviola e Bujar Pregjes nxjer “lakuriq” gjyqtarët

Gjyqtarët shqiptarë janë mbledhur sot në Federatën Shqiptare të Futbollit, për të protestuar ndaj presionit që është bërë mbi ta në javët e para të këtij sezoni. Në tri javët e para të kampionatit ka pasur akuza të shumta nga pothuajse të gjitha skuadrat. Përvec akuzave të pabazuara, nuk kanë munguar as gabimet e kryera nga ana e gjyqtarëve. Disa nga gabimet e kryera gjatë këtyre javëve kanë qenë edhe shkaku i toneve të ashpra në mbledhje, por askush nuk është prononcuar se cilat ishin konkretisht gabimet dhe gjyqtarët që i kanë bërë ato. Në mbledhjen e Shoqatës së Gjyqtarëve ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e Sektorit të Garave në FSHF, si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Roland Mici. Megjithatë, në mbledhjen që zgjati rreth katër orë, mungonin presidenti i Shoqatës, Tahir Kastrati, si dhe sekretari i saj, Uvil Zajmi.
Shefi i gjyqtarëve, Sulejman Mema, duke pranuar se gabimet janë njerëzore dhe nuk mund të shmangen krejtësisht, e ka cilësuar si të papranueshëm presionin e ushtruar. Por Mema ka shprehur edhe bindjen se ky presion do të bjerë shumë shpejt, falë qëndresës së gjyqtarëve. "Mbi gjyqtarët ka presion, por ky presion do të bjerë shumë shpejt. FSHF ka disa rregulla të cilat duhen zbatuar nga të gjithë dhe ne jemi të vendosur t'i zbatojmë", tha Mema. Memam pranoi se do të ketë ndëshkime për gjyqtarët që kanë gabuar rëndë, por pa preferuar të jepte detaje se cilët do të jenë të ndëshkuarit dhe gabimet që kanë kryer. Në përfundim të mbledhjes, Shoqata e Gjyqtarëve ka dalë me një deklaratë, të cilën e ka lexuar para medias gjyqtari i FIFA-s, Sokol Jareci. Në deklaratë thuhet se qëllimi është sensibilizimi i opinionit për presionin që ushtrohet ndaj gjyqtarëve, me akuza të pavërtetuara, të cilat lëshohen nga drejtues klubesh. Jareci e cilësoi deklaratën për sensibilizim si hapin e parë të Shoqatës, me paralajmërimin se do të ketë hapa të tjerë nëse gjendja nuk ndryshon. Ai dhe Pregja sqaruan se një hap tjetër mund të jetë nisja me vonesë e ndeshjeve, pesë ose 15 minuta, duke nisur ndoshta që në fund të kësaj jave.
Deklarata e Shoqatës së Gjyqtarëve
"Shoqata e Gjyqtarëve Shqiptarë, në mbledhjen e zhvilluar sot më datë 18 shtator 2006, konstaton se gjatë këtyre javëve të para të sezonit, mbi gjyqtarët ka pasur një presion të vazhdueshëm psikologjik, gjatë por edhe pas përfundimit të ndeshjeve. Ky presion është ushtruar nga drejtues klubesh, nëpërmjet deklaratave të dhëna në gazeta e median vizive. Në deklaratat e tyre, ata kanë dashur të denigrojnë anëtarët e Shoqatës së Gjyqtarëve, duke i cilësuar si të korruptuar e mafiozë, por pa i vërtetuar kurrë me fakte akuzat e tyre. Kjo deklaratë për shtyp bëhet me qëllim sensibilizimin e opinionit. Ky është hapi i parë i hedhur nga Shoqata, por në të ardhmen mund të ketë edhe hapa të tjerë, nëse këto praktika nuk ndryshojnë"