Kapllani, lojtari i vetëm pozitiv në Gjermani

Sulmuesi shqiptar Edmond Kapllani vazhdon të jetë "mbreti" i vlerësimeve nga futbollistët shqiptar që luajnë në Gjermani.
Kapllani shënoi një gol në barazimin 3-3 të Karlsruhes me Duisburgun dhe është vlerësuar nga ekspertët e "Kicker" me notën e mirë 3, ndërkohë që më i miri i këtoj takimi ka qenë kolegu i Kapllanit në sulmin e Karlsruhes, Freis (2). Kapllani përvec golit goditi edhe disa herë me kokë, me armën më të preferuar të tij. Në katër ndeshjet e deritanishme në Bundesliga 2, durrsaku ka luajtur në të gjitha takimet, ka shënuar dy gola dhe është vlerësuar me notën mesatare 3.38.
Mehmet Dragusha ka qendruar në ston në ndeshjen Padeborn-Kickers Offenbah (2-1), ndërsa Curri në ndeshjen Erzgebirge Aue-Greuther Furth (0-3) është vlerësuar me notën e dobët 5. Skerdilajd Curri u zëvendësua në minutën e 57-të nga Jungvirth, që bëri një paraqitje më të mirë se sulmuesi kavajas. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me sulmuesi e Eintraht Braunshvajg, Bekim Kastratin. Sulmuesi i Kombëtares luajti vetëm 45 minuta dhe u vlerësua me notën 5, ndëërkohë që zëvendësuesi i tij, Kuru u vlerësua me një notë më të mirë.
Në Bundesliga 1, Altin Lala është vlerësuar me notën 4 në ndeshjen Volfsburg-Hanover të fituar 2-1 nga ekipi i mesfushorit shqiptar, që siguroi edhe tri pikët e parë në Bundesligë, me dy golat e shënuar nga Brdaric. Kandidati për fanelën kuqezi, Besart Berisha luajti vetëm 6 minuta në ndeshjen e humbur 1-0 nga Hamburgu me Borusian e Dortmundit, dhe nuk ka marrë asnjë vlerësim nga "Kicker".