E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mozaiku i Muzeut Kombëtar, së shpejti nis restaurimi

TIRANE-Fasada qendrore e Muzeut Historik Kombëtar është sërish në 'shënjestër', e këtë herë, jo për të diskutuar mozaikun, por për t'iu nënshtruar restaurimit.

Skelat e ngritura në faqen ballore të tij tregojnë për një vendim të marrë nga Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Tiranës dhe Instituti i Monumenteve. Prej disa ditësh, ata filluan zbatimin e projektit për konservimin dhe restaurimin e mozaikut në faqen ballore të MHK-së. Specialistët tregojnë se mozaiku do t'i nënshtrohet një faze të parë, që është ajo e studimit dhe e evidentimit të të gjitha nevojave për ndërhyrje. Pastaj do të vazhdohet me fazën e restaurimit. Mozaiku masiv prej 440 metrash katror ka vite që paraqet probleme në shkëputjen e copëzave që e formojnë atë, për shkak të veprimit të faktorëve atmosferikë. Mësohet se restaurimi i mozaikut do të kushtojë rreth 1.5 milionë lekë të reja.

Restaurimi i kësaj vepre është padyshim një lajm i mirë, me gjithë debatet që ka hapur për shkak të përmbajtjes së tij. Edhe pse specialistët mund të ngrenë pretendimin se një ndërhyrje e tillë ka nevojë për kohë të thatë, zbatimi i këtij projekti pikërisht në këtë periudhë të vitit, mund të sjellë zvogëlimin e vizitorëve në Muzeun Historik Kombëtar. Nuk dihet koha e saktë e restaurimit, por duhet thënë se në këtë vepër nuk është vënë dorë prej kohës së ngritjes së tij, gati 30 vjet më parë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›