E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mozaiku në Amfiteatrin e Durrësit në rrezik!

Në Amfiteatrin e Durrësit, mozaiku i kishës po prishet! E ka pushtuar lagështia dhe myshku. Pjesa ballore e mozaikut ka marrë ngjyrën jeshile, ngjyrën karakteristike të lagështisë dhe gurët kanë filluar të bien. Kemi disa herë që shkojmë në amfiteatrin antik dhe me gjithë vërejtjet tona, askush nga ata të ngarkuar për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës nuk ka vënë dorë ende.

Kësaj here regjistrova pyetjet e bëra nga vizitorët aty.

Pyetjet ishin këto:

"Si është e mundur kjo gjendje?

Si nuk kanë cipë këta që punojnë për mirëmbajtjen e monumenteve?

Pse e kanë lënë kështu amfiteatrin me plehra?

Çfarë zanati kanë ata që na mburren dhe i paguajmë si nëpunës të shtetit për mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës?

A ka kush që i kontrollon fjalët dhe punët e tyre?

Është fillim i sezonit turistik, flitet për përgatitje për pritjen e më shumë se dy milionë turistëve. Në këtë gjendje do të jetë amfiteatri dhe mozaiku gjatë vizitave të pritshme?

Ku i kanë çuar paratë nga dy milionë turistë që deklaruan se vizituan vjet Shqipërinë?

Në këtë rast, ai që pyeti dhe komentoi kështu: Të paktën një e dhjeta e turistëve të vjetshëm mund të ketë vizituar edhe amfiteatrin, se ndryshe çfarë kanë vizituar në Shqipëri. Një e dhjeta është dyqind mijë turistë. Pra llogari e thjeshtë, me treqind lekë biletën bëjnë 300 x 200 000 = 60 milionë lekë. Nuk duket se mungojnë paratë.

Pyetja e radhës ishte:

Po pse s‘e lanë të mbuluar amfiteatrin derisa nuk janë në gjendje ta mbajë këtë të uruar?

Kjo pyetje më kujtoi episodin e zbulimit të amfiteatrit, atëherë kur me mikun tim, inxhinier Hasan Begën, një nga djemtë e familjes së madhe të mjekut stomatolog Bega, morëm vesh rezultatin e studimit, intuitës dhe përpjekjeve të arkeologut Vangjel Toçi, kur hyri në një pus të shtëpive majë kodrës së Durrësit për të kuptuar se si ishte e mundur të kishte ujë të pijshëm në atë lartësi. Ai gjeti se ujin shtëpitë e merrnin nga galeritë e amfiteatrit të mbuluar nga koha, amfiteatër që përmendej nga autorët antikë, por që nuk dihej deri në atë ditë se ku ishte.

Zotit Toçi, drejtorit të nderuar të Muzeut Arkeologjik të Durrësit, zbuluesit të këtij amfiteatri, nuk i gjen shpirti rehat atje në botën e përtejme ku prehet nga braktisësit e mirëmbajtjes së amfiteatrit. Vuajtjet e tij janë të barabarta me myshkun dhe prishjen e përditshme të asaj vepre monumentale. Bashkë me arkeologun Toçi vuajmë dhe ne vizitorët, madje edhe vizitorët e huaj që kanë ardhur të shuajnë kureshtjen në vendin e ipeve, të shqipeve, të shqypeve në Iperi për çamët, në Shqipëri për krutanët, në Shqypni për banorët e Dukagjinit.

Roja, apo më mirë personi që pret biletat 300 lekëshe në hyrje të amfiteatrit, thotë se puna e tij nuk ka të bëjë me mirëmbajtjen. Ai vetëm pret bileta, merr lekët dhe i dorëzon ato në llogari të Ministrisë së Kulturës. Mozaiku është i mbyllur me çelës brenda një porte me shufra hekuri. Shikohet mirë dhe, e përsërisim, të vjen për të qarë a për të ulëritur tek e shikon në atë gjendje poshtëruese. Vizitorët, vendas dhe të huaj, habiten me trajtimin barbar të monumentit të mrekullueshëm të qytetit të vjetër.

Fjalët që thuhen, lart e poshtë, nga autoritetet qeverisëse të monumenteve të kulturës, për kujdesin ndaj monumenteve nuk përputhen me faktet.

Puna për pastrimin e mozaikut dhe izolimin e tij nga lagështia nuk është e madhe në vlerë parash. As e madhe në cilësi a vështirësi. Është punë rutinë. E madhe është neglizhenca e personave të ngarkuar dhe të paguar për mirëmbajtjen e amfiteatrit. Justifikimi më i mirë është ndërhyrja e shpejtë dhe efikase në të mirë të monumentit, ne vizitorëve dhe administratës kompetente.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›